Biznesmeni kontrovers nga RMV, Orce Kamçev, në listën e zezë të SHBA-së

Në listën e zezë amerikane është futur edhe biznesmeni i njohur nga Maqedonia e Veriut, Orce Kamçev. Deri më tani, Kamçev ka raste  të hapura gjyqësore për aktivitetin e tij në botën e biznesit, transmeton Portalb.mk.

Departamenti i Thesarit të SHBA-së në lidhje me Kontrollin e Pasurive të Huaja vlerësoi që Orce Kamçev është person “që kërcënon stabilitetin e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet korrupsionit dhe sjelljeve të tjera destabilizuese”.

“Kamçev abuzoi me pozitën e tij, duke u angazhuar në aktivitete korruptive dhe duke zbatuar agjendën e tij në kurriz të institucioneve demokratike dhe qytetrëve të Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Brian E. Nelson, zv.sekretari i Thesarit.

Në njoftimin zyrtar theksohet se Kamçev është i përfshirë në rastin gjyqësor të njohur si “Parcelat në Vodno” dhe “Perandoria”, duke saktësuar që aktivitetet e tij kanë filluar nga viti 2000. Ai në këtë periudhë kishte tentuar që të manipulon përmes korrupsionit edhe sistemin juridik.

Rasti “Perandoria” ishte hapur nga ish-Prokuroria Publike Speciale në vitin 2018, për bashkim kriminal, dëmtim apo fuqizim të kreditorëve, keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, mashtrim dhe pastrim parash dhe rendimente të tjera të veprës penale. Marrëveshje kanë arritur shtatë persona, ndër të cilët më të njohurit janë emrat e ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijalkov dhe biznesmenit Jordan (Orce) Kamçev.

Gjithashtu për “Parcelat në Vodno” u dënuan edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski me 7 vjet burg, ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov me 1 vjet e 3 muaj burg, Risto Novaçevski me 2 vjet burg me kusht dhe Nenad Josifoviq me 2 vjet burg me kusht.

Ndryshe më 20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramis Merkon.

Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.

 11 prill të vitit 2022 për shkeljet ligjore dhe prishje të demokracisë nëpër institucione publike, shoqëruar me korrupsionin, Departamenti i Shtetit Amerikan i shpalli nongrata edhe Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin dhe një politikane nga Bosnja.

Paraprakisht, SHBA i ka shpallur nongrata, Menduh Thaçin, Lube Boshkoskin, Xhevat Ademin dhe të tjerë.

SHBA, ka paralajmëruar se Merko nuk është i fundit që është shpallur “nongrata”, por se do të ketë edhe të tjerë.

Ambasadori, David Geer ka paralajmëruar ardhjen në Shkup të një misioni për vlerësimin e punës së Këshillit Gjyqësor, organit më të lartë të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, që zgjedh dhe monitoron punën e gjykatësve.

Por, Këshilli ka qenë në shenjstër të kritikave për zgjedhjen e kuadrove partiak në pozita drejtuese në organet e drejtësisë, por edhe për mos veprim në më shumë raste lidhur më vjetërsimin apo mos procedimin e rasteve që kanë të bëjnë me zyrtarë të lartë shtetëror.