Gazetarët për luftën kundër dezinformatave: Përgjegjëse janë edhe institucionet edhe mediat

Dezinformatat janë një problem serioz, shkaktojnë dëme të mëdha. Ato kontribuojnë për përçarje në shoqëri. Institucionet duhet të jenë më transparente, ndërsa niveli i përgjegjësisë editoriale në media duhet të jetë më i lartë, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.

Është ky përfundimi i uebinarit të sotëm me temë “Verifikimi i fakteve dhe zbulimi i dezinformatave – përvoja gazetareske”, në të cilin folës ishin gazetarët Goce Trpkovski nga “Prizma”, Antonija Popovska nga Agjencia e lajmeve “Meta”, si dhe redaktorët Vlladimir Petreski nga “Vërtetmatësi” dhe Elida Zylbeari nga “Portalb”-i.

Gazetari Trpkovski foli për standardin e ulët mediatik gjatë verifikimit të fakteve para publikimit të produkteve gazetareske, gjegjësisht gjatë emisioneve debative. Sipas tij, standardet gazetareske kanë rënë ndjeshëm për shkak të numrit shumë të madh të portaleve.

Sipas Trpkovskit shumë prej tyre përdorin tituj dhe përmbajtje senzacionaliste që të fitojnë sa më shumë “klikime”, diçka që e kërkon tregu dhe agjencitë e marketingut.

“Te televizionet, sidomos tek pesë televizionet me koncesion kombëtar, ku përgjegjësia editoriale duhet të jetë më e madhe, vihet re se  kur përballen me kanale obskure në YouTube, bëhen pothuajse si ato. Publikojnë teori konspirative dhe i interpretojnë informacionet në mënyrë manipulative. Gjithçka që ishte një sëmundje e informimit në internet u përhap si një sëmundje ngjitëse edhe në sfera të tjera, sepse kur njëra është e parregulluar dhe tërheq vëmendje, instinkti i mediave më të mëdha është që të përshtaten. Në të kundërtën do ta humbasin plotësisht tregun”, tha Trpkovski.

Ai përmendi një emision televiziv debativ për çështjet gjinore, për të cilin ka shkruar një recenzion. Dy bashkëbiseduesit e debatit në fakt qartësisht kanë qenë në të njëjtën anë dhe lirshëm kanë plasuar dezinformata dhe teori konspirative, pa asnjë moderim nga drejtuesi i emisionit. Trpkovski theksoi se në redaksinë e tij kur bëhen recenzione për emisione të tilla, ata gjithashtu vënë re se çfarë “kurthesh logjike” përdoren në argumentet e folësve. Për shembull, shpesh ndodh që të prezantohet një sjellje absurde e një individi të caktuar nga komuniteti LGBT si diçka që do të fillojë të ndodhë masivisht nëse njihen disa të drejta LGBT.

Në uebinar gazetarja Popovska nga Meta.mk foli për atë se si përhapen dezinformatat në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, dy sektorët që ajo i ndjek rregullisht. Popovska i theksoi dezinformatat rreth vaksinave si shembull se si ato mund të kenë pasoja të rënda sociale, madje edhe shëndetësore. Nga sfera e arsimit ajo i theksoi lajmërimet e rrejshme për bomba, të cilat sipas definicionit janë dezinformata që kishin pasoja të rënda për rrjedhën e rregullt të mësimdhënies.

Popovska përmendi edhe dezinformatat serioze që u përhapën rreth Konceptit të ri për arsimin fillor. Për shembull, u përhapën informacione se gjeografia do të hiqet si lëndë dhe se mësuesit e kësaj lënde do të humbasin vendin e punës. Mirëpo, Popovska nuk ia hedh të gjithë fajin mediave, por theksoi se Koncepti është dashur të shpallet dhe të prezantohet më me kujdes, në mënyrë që të ketë më pak skepticizëm për suksesin e tij.

“Kishim një ekip pedagogësh dhe ekspertësh arsimorë nga më të mirët, të cilët prej vitesh theksonin se sistemi duhet ndryshuar që të kemi një cilësi më të lartë. Nëse i gjithë procesi bëhej më me kujdes, pra nëse kishte një informacion të mirë dhe të saktë, besoj se publiku nuk do të përballej me kaq shumë dezinformata, ndërsa paniku dhe skepticizmi që u krijua në opinion do të ishte më i vogël”, thotë Popovska.

Ajo shtoi se fakti që qeveritë e mëparshme nuk kanë treguar seriozitet dhe shqetësim real për shtyllën më të rëndësishme të shoqërisë, vetëm sa e shton skepticizmin ndaj reformave, gjë që i bën qytetarët më të prirur të besojnë në gënjeshtra.

“Deri diku e kuptoj pse njerëzit i shohin reformat me skepticizëm. Publiku e ka parë se për vite me radhë partitë në pushtet nuk e kanë marrë seriozisht arsimin – u prezantuan reforma që në të shumtën e rasteve u hoqën nga struktura pasuese politike. Më korrigjoni nëse gaboj, por nuk më kujtohet ndonjë reformë e mirë që ka mbijetuar dhe funksionon me sukses në baza të shëndosha”, theksoi Popovska.

Kryeredaktori i “Vërtetmatësi”, Vlladimir Petreski, foli për metodologjinë specifike me të cilën shërbehet kjo media, redaksia e së cilës merret me verifikimin e fakteve që nga viti 2011.

Për dallim nga numri më i madh i mediave që i kushtojnë kujdes verifikimit të fakteve në produktet e tyre para se të publikohen, “Vërtetmatësi” merret me verifikimin e informacioneve tashmë të publikuara. Gazetarët fillimisht i identifikojnë faktet në një postim të caktuar, qoftë në rrjetet sociale apo në ndonjë media. Pastaj, nga këto fakte ata përcaktojnë se cilat janë të vërteta dhe cilat jo. Më pas ata hetojnë se nga cilat burime vijnë ato informacione dhe nëse të njëjtat kanë lidhje me organizata apo parti të caktuara. Në fund ata analizojnë nëse informacioni është paraqitur në mënyrë të drejtë, për shembull, nëse gënjehet duke fshehur informacione të caktuara.

Petreski foli për luftën informative në vend dhe më gjerë, e cila u intensifikua pas pushtimit rus në Ukrainë. Sipas tij, pasi vende të caktuara, përfshirë këtu edhe Maqedoninë, dolën në anën e Ukrainës, u intensifikuan sulmet informative të cilat janë pjesë e të ashtuquajturës luftë hibride, e cila përfshin edhe luftën informative. Ai foli për nivelin më të lartë të dezinformatave gjatë periudhës kur Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s – se si vendi do të bëhej një objektiv legjitim në situata ushtarake. Sipas tij, lufta informative aktualizohet sa herë që përshkallëzohet mosmarrëveshja maqedono-bullgare. Ajo propagandë e shfrytëzon rastin për të shkaktuar sa më shumë përçarje.

E fundit e foli Elida Zylbeari nga media në gjuhën shqipe “Portalb”, e cila tha se mediat në gjuhën shqipe kanë një nivel vërtet të ulët të verifikimit të fakteve dhe se kjo gjendje vitet e fundit është përkeqësuar.

Zylbeari kujtoi problemet me dezinformatat në fillimet e Portalb-it në vitin 2012. Siç theksoi para saj edhe Petreski nga Vërtetmatësi, gjatë asaj periudhe ka pasur një shkallë jashtëzakonisht të lartë të dezinformatave nga organet qeveritare.

“Sot nuk është vetëm Qeveria që bën propagandë, por edhe partitë tjera bëjnë propagandë përmes portaleve të tjera, që dyshoj se janë media reale sepse nuk kanë impresum publik. Portalet e tilla kanë për qëllim vetëm që ta sulmojnë kundërshtarin politik me gënjeshtra dhe gjysmë të vërteta. Në “Portalb”, para se të shkruhet dhe publikohet çdo tekst, parashtrohet pyetja se cili është përfitimi social që publiku të dijë për ndonjë lajm të ri. Ata mbështeten në fakte, të cilat fitohen duke u bërë pyetje institucioneve kompetente, të cilat nga ana e tyre shpeshherë janë jotransparente dhe refuzojnë t’u përgjigjen pyetjeve”, tha Zylbeari.

Për transparencën e institucioneve komentoi edhe Popovska, e cila thotë se institucionet shpeshherë përgjigjen me disa fjali, të cilët kanë të bëjnë vetëm në përgjithësi me temën për të cilën pyet gazetari, por nuk përgjigjen në pyetjet konkrete. Megjithatë, ajo theksoi Ligjin për Qasje të Lirë në Informacion si një “armë të mirë” në duart e gazetarëve.

Ky uebinar organizohet nga Shoqata për Avancimin e Praktikave Mediatike “Media Inovative”, me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për vlera  përbashkëta në Ballkanin Perëndimor“, i implementuar nga Qendra për Promovimin e Shoqërisë Civile (QPSHC), Qendra për Hulumtim dhe Krijimin e Politikave (QHKP) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDN) dhe me mbështetje financiare nga Ministria e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë.