Pendarovski dhe Kovaçevski takuan senatorin Marfi, në fokus marrëdhëniet dypalëshe, situata në rajon dhe më gjerë

Presidenti Stevo Pendarovski dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski realizuan takime me senatorin amerikan Chris Murphy. Në të dy takimet u diskutua për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe mes dy vendeve, situatën në rajon më të gjerë në kuadër të agresionit rus kundër Ukrainës, si dhe aspiratat e vendit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.

Presidenti Pendarovski theksoi se vendi ynë i kushton rëndësi të veçantë zhvillimit të bashkëpunimit të përgjithshëm me SHBA-në, në frymën e partneritetit strategjik, si dhe në kontekstin e aleancës në NATO.

Në takim, presidenti Pendarovski falënderoi për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës japin për aspiratat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të sigurohet prosperitet i qëndrueshëm i gjithë rajonit.

Ndërkohë në takimin me kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në delegacionin e Maqedonisë morën pjesë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i sistemit politik dhe marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, Artan Grubi, ministrja e mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, zëvendësministrja e drejtësisë, Viktorija Avramovska Madiq dhe ministri i vetëqeverisjes lokale Risto Penov. Në delegacionin nga SHBA morën pjesë ambasadorja e SHBA-së, Angela Ageler, këshilltari i lartë politik, Cole Bokenfeld dhe oficeri i ndërlidhjes ushtarake, korpusi i marinës amerikane, majori Yuvin Ho, si dhe shefi i Sektorit të Ekonomisë Politike të Ambasadës së SHBA, Christopher Zimmer.

Në takim u diskutua edhe për reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, ku kryeministri Kovaçevski theksoi se këto janë prioritetet tona kryesore. Korrupsioni, siç theksoi kryeministri, është kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë e shoqërive, minon institucionet dhe vlerat e demokracisë, vlerat etike dhe drejtësinë dhe kërcënon zhvillimin e qëndrueshëm dhe shtetin e së drejtës. Kryeministri theksoi se “ne e vlerësojmë lartë mbështetjen në kuadër të ndihmës së SHBA-së për zhvillimin e strategjive kundër korrupsionit për secilin vend të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Republikën e Maqedonisë së Veriut, në mbështetje të strategjive kombëtare kundër korrupsionit që tashmë janë krijuar në shumë fusha”.

Në takim u bisedua edhe për sfidat e ardhshme të vendit në realizimin e ndryshimeve kushtetuese, për të cilat kryeministri Kovaçevski tha se ky proces do të përcaktojë rrjedhën e ardhshme të vendit në raport me procesin e integrimeve evropiane.

Duke theksuar mbështetjen e fuqishme nga SHBA-të për vendin, Senatori Marfi thekson se Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me zbatimin e politikave që çojnë drejt anëtarësimit të plotë në BE sepse kjo është e vetmja mundësi që çon në stabilitet, paqe dhe siguri, si në vend ashtu edhe në rajon dhe më gjerë.

Duke përshëndetur fokusin e fundit më të fortë të SHBA-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kushtet e tensioneve etnike dhe ndikimeve të jashtme politike dhe të tjera, kryeministri Kovaçevski theksoi se me përpjekje të ndërsjella mund të krijohet një mjedis i kënaqshëm për investime dhe hapje të vendeve të punës në rajon, veçanërisht për të rinjtë, duke ofruar njëkohësisht mundësi për rritje ekonomike gjithëpërfshirëse, transparente dhe punësim të bazuar në merita, të cilat do të inkurajojnë nivele më të larta të tregtisë dhe investimeve direkte.

Një Ballkan më i fortë, i integruar në një Evropë më të fortë, theksoi kryeministri Kovacevski, çon në  partneritet më të fortë transatlantik dhe kontribuon në paqen dhe prosperitetin global.