Afati i gushtit për maturën nesër dhe të premten, provimet do të zhvillohen në katër qytete

Afati i gushtit për provimet eksterne të maturës për kandidatët që në qershor nuk e kaluan maturën ose nuk e përfunduan atë do të zhvillohet nesër dhe më 14 gusht, duke filluar nga ora 9:00, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP), në gusht për maturën shtetërore janë regjistruar 1.328 nxënës, për maturën profesionale 126 nxënës, ndërsa për maturën artistike gjashtë nxënës.

Nesër (12 gusht) do të zhvillohet testi i provimit ekstern zgjedhor, matematikë ose gjuhë angleze. Për gjuhët e tjera të huaja, gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe rusisht, të cilat i japin vetëm nxënësit e gjimnazeve, nuk ka kandidatë në gusht, njësoj si për lëndën histori, e cila është pjesë e maturës artistike.

Më 14 gusht do të zhvillohet provimi ekstern i detyrueshëm, gjuhë amtare dhe letërsi.

Për shkak të numrit dukshëm më të vogël të kandidatëve në gusht krahasuar me qershorin, ky afat i provimeve do të organizohet në katër qytete, në tetë lokacione.

Provimet sërish do të zhvillohen në fakultete, në Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Fakultetin Pedagogjik në Shkup, si dhe në fakultete në Tetovë, Prilep dhe Shtip.

Në mesin e kandidatëve që këtë javë do t’i nënshtrohen maturës janë edhe 226 maturantë të cilëve u është anuluar provimi në qershor, një pjesë pasi janë kapur duke kopjuar gjatë provimit, ndërsa për një pjesë tjetër është konstatuar se kanë kopjuar pas kontrollimit të testeve.

Nota mesatare e maturës në qershor ishte 3,66 për të tri llojet e maturë, maturën shtetërore, maturën shtetërore profesionale dhe maturën shtetërore artistike, të cilat u aplikuan për herë të parë këtë vit. Nota mesatare për maturën shtetërore ishte 3,62, për maturën profesionale 3,91, ndërsa për maturën artistike 3,59.

Për afatin e provimeve të qershorit të vitit shkollor 2025/2026 ishin regjistruar 14.587 nxënës, 12.184 për maturën shtetërore, 2.276 për maturën shtetërore profesionale dhe 127 për maturën shtetërore artistike.

Në provime nuk morën pjesë 348 kandidatë, përkatësisht 2,39 përqind e të regjistruarve munguan në provime.

Pas publikimit të rezultateve të provimeve eksterne në qershor, ishin paraqitur 805 ankesa, përkatësisht 2,86 përqind e numrit të përgjithshëm të maturantëve që iu nënshtruan provimeve. Ankesat ishin pranuar për një pjesë të maturantëve, përkatësisht 0,95 për qind e ankesave të paraqitura. Ndërkaq, 133 nxënës kishin kërkuar të shihnin testet e tyre.

Matura shtetërore mbetet kërkesë për regjistrim në një fakultet. Me maturë shtetërore profesionale të kaluar, nxënësit do të mund të regjistrohen në fakultete profesionale të lidhura, dhe me një maturë shtetërore artistike, nxënësit do të munden gjithashtu të vazhdojnë në studime profesionale.