U anulua plani rregullativ për lagjen Vllae, u pengua një betonizim i ri i Shkupit

Këshilli i Qytetit të Shkupit dje e anuloi Planin rregullativ S3 19 për lagjen Vllae. Ky plan është bazë për hartimin e Planit të Detajuar Urbanistik (PDU) për këtë vendbanim, i cili parasheh ndërtime dhe betonim të plotë të Vllaes. Me këtë, PDU nuk vlen më, i cili dikur ishte në anketë publike, por për shkak të kundërshtimeve dhe protestave të qytetarëve, u kthye në rishikim, transmeton Portalb.mk.

Nisma për anulimin e planit është paraqitur nga “Qyteti i gjelbër human” me kërkesë të grupit qytetar “Lufta për Vllaen”, i cili disa herë organizoi protesta kundër zgjidhjeve të reja për lagjen.

“Diskutimi që u bë pas propozim-vendimit është dëshmi se qytetarët duhet të vetëorganizohen dhe të bëhen pjesë e këshillave vendore për të siguruar që do të merren vendime që do të mbrojnë interesin publik. Të gjithë e dimë se sa shpejt ndërtohen rrokaqiejt dhe sa e ngadaltë është drejtësia për njeriun e thjeshtë. Me këtë propozim-vendim i japim fuqi dhe shpresë çdo qytetari që në këshillat lokale të ketë përfaqësues që qëndrojnë krah për krah me ta, jo kundër tyre”, tha Gorjan Jovanovski nga “Qyteti i gjelbër human”.

Për anulimin e planit votuan 23 këshilltarë, përkatësisht dy këshilltarët e “Qytetit të gjelbër human”, grupi i këshilltarve të  VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, një anëtar i Aleancës/Alternativës, grupi i këshilltarëve të Levicës dhe dy këshilltarët ngaPLD/DOM. Grupi i këshilltarëve i përgjysmuar i LSDM-së dhe koalicionit votoi me përmbajtje, ndërsa i gjithë grupi i këshilltarëve të BDI-së nuk ishte në sallën e votimit.

Plani i Detajuar Urbanistik i miratuar në bazë të Planit rregullativ parashikon ndërtime në vendin e ish-kinemasë Vllae, gjegjësisht pas stacionit të autobusëve në Bulevardin Partizanski odredi. Ndërtesat ishin planifikuar të kishin një lartësi prej 6 deri në 10 kate. Parcela për ndërtimin e pullave shtrihet edhe në rrugën Esperanto deri në sheshin Delfina. Me planin e ri rruga ishte paraparë të shkonte pas kinemasë, përkatësisht përballë shkollës fillore “Dimo Haxhi Dimov”.

Në vendin e këndit të lojërave gjithëpërfshirëse për fëmijët me nevoja të veçanta në sheshin Delfina, megjithatë, është vizatuar një tabelë për një kishë. Këndi i lojërave për fëmijë është ndërtuar para dy vitesh dhe më pas është hapur nga ish-kryetari Stefan Bogoev.

Për hapësirën e zbrazët pranë “Kam Market”, pra në pjesën ku lagjja Vllae kufizohet me lagjen Hrom, ishte planifikuar një pullë për objekt. Kjo zonë, siç thonë banorët, është tokë shtetërore dhe duan të bëjnë park, jo të shesin tokën shtetërore për interesa biznesi me ndërtues privatë.