A duhet të shkojë nxënësi te psikologu apo psikologu te nxënësi?!

Ministria e Arsimit, këshilltarët pedagogjikë, mësimdhënësit, planet vjetore, mujore, testimet eksterne, interne të gjitha përpiqen të jenë në shërbim të nxënësit. Të gjitha janë të menduara ta lehtësojnë procesin e mësimnxënies përmes mësimdhënies, por ajo që ngelet në plan të dytë, ndërsa duhet të jetë në plan të parë, është shëndeti mental i këtyre nxënësve që duhet t’iu bëjnë ballë krejt sa përmendëm në fillim me të gjitha vështirësitë që burojnë e kthehen në teatralitet. Vëmë theksin te një hulumtim i fundit që ka të bëjë me shëndetin mendor të fëmijëve dhe që është i frikshëm.  Portalb.mk sjell të dhënat nga ky hulumtim në shkrimin në vijim.

Nxënësit kaluan një periudhë të vështirë me pandeminë, mësimin online, paralajmërimet për bomba dhe asnjë program për mbështetjen dhe  risocializimin e tyre. Madje edhe të burgosurit kanë programe të veçanta të rimarrjes së përgjegjësive dhe detyrave gradualisht kur dalin në liri, por për ”burgun” si pasojë e pandemisë  për nxënësit asgjë nuk u ndërmor. A do të ketë pasoja kjo? Mendoj se tashmë pasojat veç kemi filluar t’i ndjejmë. Ankthe, depresione, sulme paniku. Dëshirë për vetmi, izolim. Por, hedhim sytë nga studimi i fundit i shpallur para ca ditësh.

  • Hulumtimet tregojnë për probleme të mëdha të shëndetit mendor si depresioni dhe ankthi tek fëmijët dhe adoleshentët, që është për shkak të faktorëve të tillë si varfëria, përjashtimi social, ekspozimi ndaj dhunës në familje dhe stigma.
  • Sipas këtij hulumtimi të kryer nga Klinika Universitare e Psikiatrisë me mbështetjen e UNICEF-it, rreth 30% e adoleshentëve kanë simptoma të moderuara deri në të rënda të depresionit, ndërsa gati gjysma e tyre, pra 48,4%, kanë deklaruar se janë ndjerë të dëshpëruar ose të trishtuar për një periudhë të gjatë kohore gjatë vitit të kaluar.
  • Rezultatet e fundit të hulumtimit më të fundit mbi sjelljen e fëmijëve të moshës shkollore (11, 13 dhe 15 vjeç) në vendin tonë, të kryer me mbështetjen e UNFPA, të publikuar javën e kaluar, treguan se rreth 57% e vajzave të moshës 15 vjeç, pra çdo e dyta , raportoi luhatje të shpeshta të humorit, pothuajse çdo ditë për gjashtë muajt e fundit. Dhe kënaqësia nga jeta bie me moshën nga 11 në 15 vjeç, për vajzat shumë më shpejt sesa për djemtë, thotë studimi.

A është koha të veprojmë pa u bërë vonë? Po. Urgjentisht! Është koha që shkollat të rikthejnë rolin e psikologut dhe ta përshtatin në ambientet ku veprojnë nxënësit si pjesë e pandarë e tyre. Ka ende shkolla që nuk kanë të punësuar një psikolog dhe kjo është shumë e tmerrshme, sidomos në zonat rurale ku mbase dhe nuk kanë takuar as dëgjuar për rolin e sociologut dhe psikologut ne shkollë. Duke qenë njeri i arsimit për një kohë, gjërat në praktikë duken shumë keq.

Ka dy kategori nxënësish, e para që shkojnë çdo ditë te psikologu dhe nuk u bën përshtypje psikologu dhe kategoria tjetër që kurrë nuk e kanë vizituar psikologun ose sociologun dhe po të shkojnë stigmatizohen dhe vetëndëshkohen dhe në vend se të ndihmohet nxënësi, ai dëmtohet edhe më rëndë. Mënyra se si mësuesit e paaftë i drejtojnë fëmijët te psikologu është bullizim. Fëmija nuk duhet të ndëshkohet me psikologun. Duhet filluar nga e para. Psikologu të jetë me i pranishëm në shkollë dhe të jetë në klasë, në të gjitha orët, me të gjithë mësuesit. Të bëhet shok banke me atë pa mbështetje, partner me atë që humbet, shoqërues për atë që nuk ka miq, vigjilent për atë që izolohet, po mbyllet në vete. Them psikologu, por duhet thënë psikologët, pasi për një shkollë nuk mjafton vetëm një psikolog.

Është një pyetje e shpeshtë e predispozuar për tu shtruar gabim ‘’kur duhet të shkojmë te psikologu i shkollës’’ dhe për ta korrigjuar citojmë profesoreshën e psikologjisë Sheruze Osmani Ballazhin e cila për Portalb.mk thotë: “Është psikologu shkollor sipas meje që duhet të shkoj te nxënësi. Të realizoj aktivitete edhe ne klasë e gjithandej. Mundëson të thehet tabuja për psikologun, se është aty për të  ndihmuar, e nuk shërben si mjet për dënimin e nxënësve. Kjo qasje e psikologut edhe më tej nuk e përjashton mundësinë për punë individuale-këshilluese kur e kërkon nevoja”.

Gjithnjë e më shumë po shtohet numri i të rinjve që konsumojnë lëndë narkotike, që mbidozohen, që përfundojnë fatalisht. Gjithnjë e më shumë po humbasim fëmijët si pasojë e asaj se askush nuk merret profesionalisht me problemet e tyre, me hallet dhe brengat që kanë. Është koha që prindët, mësuesit dhe udhëheqësitë e shkollave të kenë primare shëndetin e nxënësve në vend të memorizimeve mësimore. Të bashkëpunojnë ngushtë dhe të mos i injorojnë sjelljet e pazakonshme që hasin te secili nxënës.