A doni bileta zotërinj? Art falas!

A keni parë ndonjë mekanik që ndonjë ditë ofron shërbime falas, ndonjë restorant, ose dentist, ose ndonjë qendër tregtare që thotë “ejani sot, se ofrojmë gjëra ose shërbime falas”. Në parim, gjithçka që neve na shërben dhe na kënaq e na ngop paguhet, ka një çmim.

Gjërat që nuk kanë çmim i paguajmë me çmimin më të lartë, si rrjetet sociale bie fjala, i paguajmë me kohën tonë.

Në teatro kohëve të fundit më ka rënë në sy në fund të njoftimit  “hyrja falas” dhe ajo që e mendon fill pas kësaj, si qenka bërë arti falas?!

Mënyra më e sigurt për ta zhvlerësuar artin është ta shërbesh falas.

Profesori Nevzat Bejtuli-Kica tregonte një si tip anekdote me njërin që ia kishte shitur pikturën me një çmim modest, po kur i kishte treguar babait se sa ia kishte shitur ai i habitur i kishte thënë: “shko jepja paratë se e paske mashtruar njeriun”. Po flasim për një brez që mezi ka fituar të drejtën e arsimimit dhe për të cilët arti nuk ka qenë krejt i përjashtuat nga jeta e tyre, por ka qenë  edhe i dobishëm. Marangozi bën një lloj arti, por që edhe është funksional. Tashmë, flasim për breza të tërë të arsimuar, që janë rritur me art dhe vet prodhojnë art.

Këtë javë që po lëmë teatrot ishin të begatshme duke na sjellë shfaqje mysafire, rishfaqje dhe një premierë.

Teatrin e Shkupit qëndroi Teatri Kombëtar i Tiranës me shfaqjen “Orfeu zbret në ferr”. Miti mbi Orfeun është miti më i bukur dhe njëkohësisht i trishtë që na vjen nga antika.

Miti thotë: Orfeu ishte i vetmi njeri i gjallë që shkoi në botën e nëndheshme, pra në Had që të kthej të dashurën e tij Euridikën.  Por, në kthim ishte i kushtëzuar të mos e kthej kokën se zhduket. Tundimi i Orfeut është njerëzor sa çdo njeri në një moment do ta kthente kokën me frikën se çka nëse dikush po më ve në lojë dhe çka nëse Euridika nuk ecte pas tij për tu rikthyer në botën e të gjallëve.

Teatrin e Tetovës u dha shfaqja “Ëndrra evropiane” me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Nezirajt. Shfaqja është bazuar në personazhin e famshëm të Henrik Ibsenit Per Gyntit i cili nga autori është sjellë në kontekst ballkanik.

Po ashtu monodrama “Në emër të Atit” erdhi nga Zvicra në skenën e Teatrit Shqiptar të Shkupit, shfaqje e punuar nga regjisori Sulejman Rushiti.

Me që dy nga këto shfaqje ishin rishfaqje dhe shfaqje mysafire u dhanë falas për dallim nga shfaqja premierë e Teatrit të Tetovës që hyrjen e kishte me bileta, pra me pagesë.

Tani mënjanë modestinë e institucioneve e produksioneve, çështja është përse falas në një kohë kur vlerën e gjërave e predispozon paraja?!

Më kujtohet një skenë nga një film ku një profesoreshë muzike shumë rigoroze kishte mbetur pa nxënës, por ishte çmimi i lartë që e mbante akoma të kërkuar në treg dhe pas një jave të gjithë e braktisnin shkaku i punës që kërkonte. Ishte shembulli më tipik sesi imazhin në kapitalizëm ta krijon paraja.

Foto: Teatri i Tetovës, shfaqja " Ëndërr evropiane"
Foto: Teatri i Tetovës, shfaqja ” Ëndërr evropiane”

Ua tregoj një rast kur një herë u ndjeva e turpëruar dhe reflektova për biletat që te ne kurrë s’paguhen, por i kërkojmë si lypsar.

Gazetarja Dijana Toska, vitin që shkoi më ftoi mua dhe një miken time në një koncert që mbahej në Kosovë . Pasi pranuam bëri rezervimin “online” dhe duke pasur parasysh që ishte koncert me prani emrash botëror, miqtë e Ramë Lahës bileta s’ishte fort e lirë, sidomos kur qeras dy miq, shtoi kësaj dhe shërbimin me makinë.

Për një moment më erdhi keq që ishte harxhuar aq shumë dhe i thash:

-Po përse nuk folëm me “filanin” do na i siguronte biletat?

-Ti kujton që unë nuk s’mundesha ashtu t’i siguroj? – ma ktheu Dijana.

Tani, zotërinj, a doni bileta në vend të qymyrit?

Ne, gjithsesi falas i marrim sa herë biletat, në mënyrën tonë, por ju bëjeni tuajën, vini një çmim ta edukojmë syrin një herë derisa ta edukojmë xhepin, të mësohemi të blejmë bileta.

Për këtë si dhe pse të edukohemi të blejmë bileta, flasim kur të kemi shtëpi teatrosh në krejt qytetet e Maqedonisë dhe shfaqjet të mos jepen në shtëpi kulture.

Shfaqjet që më nxitën për këtë shkrim janë të rastësishme, ndërsa fenomeni ndodh shpesh në hapësirat shqiptare.