35 vjet Pavarësi: Partitë në pushtet flasin për barazi, ndërsa Qeveria anashkalon shqiptarët në festime

Partitë në pushtet e kanë uruar 35 vjetorin e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut. Ata thonë se kjo ditë përkujton sakrificën dhe shtetin e përbashkët, por gjendja në terren nuk është ashtu siç e përshkruaj e ata, shkruan Portalb.mk.

Nga partia në pushtet VLEN, me rastin e 35 vjetorit të Pavarësisë së RMV-së thonë se sot është një datë historike që përfaqëson vullnetin e qytetarëve për të jetuar në një shtet të lirë, demokratik dhe sovran. Nga atje kanë shtuar se kjo ditë është e të gjithë qytetarëve të vendit, pavarësisht përkatësisë etnike, gjuhës, fesë apo bindjeve politike.

“Është një ditë që na kujton se shteti ndërtohet me kontributin e përbashkët dhe se e ardhmja jonë është më e fortë kur respektojmë njëri-tjetrin dhe garantojmë barazi për të gjithë. Shqiptarët janë pjesë e pandashme e historisë, shtetësisë dhe zhvillimit të këtij vendi. Kontributi i tyre në ndërtimin e institucioneve dhe në forcimin e shoqërisë sonë është pjesë e pandashme e identitetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në 35 vitet e pavarësisë, vendi ka kaluar nëpër sfida të shumta dhe ka bërë hapa të rëndësishëm përpara. Sot, përgjegjësia jonë është të ndërtojmë një shtet funksional, demokratik dhe ekonomikisht të zhvilluar, ku barazia, drejtësia dhe sundimi i ligjit janë vlera të përditshme dhe jo vetëm parime në letër”, thonë nga VLEN.

Për VLEN-in, rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut nuk ka alternativë. Integrimi në Bashkimin Evropian do të thotë më shumë standarde, më shumë mundësi për qytetarët, institucione më të forta dhe një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj.

Nga ana tjetër, edhe VMRO-DPMNE ka uruar qytetarët me rastin e Ditës së pavarësisë, 8 shtatorin.

Nga atje thonë se para 35 vitesh na bashkoi ëndrra për një Maqedoni të lirë dhe të pavarur. Populli tregoi se ka guxim të ecë në rrugën e tij, me kokën lart dhe me besim në të ardhmen e vet. Le të na bashkojë edhe sot dashuria për Maqedoninë.

“Pavarësia është ndjenjë përkatësie, dashuri për atdheun dhe përgjegjësi ndaj së ardhmes. Ajo është detyrim për ta ruajtur atë që na është lënë dhe me dinjitet t’ua përcjellim brezave që vijnë. Gjuha maqedonase, kënga maqedonase dhe tradita maqedonase janë pjesë e historisë që rrëfehet ndër shekuj. Flamuri maqedonas është simbol në të cilin janë thurur historia jonë, rrënjët tona, kujtimet e brezave para nesh dhe shpresat e brezave që ende do të vijnë. Maqedonia është shtëpia jonë, rrënja jonë dhe pjesë e secilit prej nesh. Ta duam, ta ruajmë dhe me vepra të kontribuojmë për të ardhmen e saj”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon ta mbajë të fshehur ‘shumën’ të cilën e ka paguar për koncertet e organizuara me rastin e 35 vjetorit të pavarësisë, ku nesër pritet të mbahet edhe koncerti më i madh nga DJ me famë botërore David Guetta.

Në prag të 35 vjetorit të pavarësisë së vendit dhe 25 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon ta anashkalojë gjuhën shqipe dhe shqiptarët, të cilët përbëjnë rreth 30 përqind të popullsisë.

Shqiptarët dhe gjuha shqipe janë anashkaluar në videoklipin për 35 vjetorin e pavarësisë së vendit i publikuar nga Qeveria dhe kryeministri Hristijan Mickoski. Përveç se videoklipi nuk është i përkthyer në shqip, në përmbajtje nuk ka thuajse asnjë element shqiptar, me raste paraqiten disa sekuenca nga Çarshia e Vjetër e Shkupit, por pa asnjë kontekst i cili asocon te shqiptarët.

Portalb.mk kërkoi nga Qeveria se pse gjuha shqipe dhe shqiptarët janë përjashtuar nga ky videoklip, por nuk morëm përgjigje. Pavarësisht se VLEN është në Qeveri nga atje u arsyetua se nuk e kanë parë spotin e 35 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, ku janë anashkaluar shqiptarët.

Artistët shqiptarë dhe gjuha shqupe nuk u dëgjuan as në koncertet e karavanit “Fort shkëlqeu dita“ të cilat u mbajtën në disa qytete të vendit. Ndërkaq pas bujës në opinion për këtë problem, një javë më vonë, më 15 shtator do të ketë koncert në Tetovë ku do të performojë Elita 5.