35 vjet pavarësi: Më shumë vite në recesion sesa me rritje mbi 5%, borxhi publik nga 1,8 u rrit në 10,7 miliardë euro

Luftë për rritje ekonomike më të lartë se 4%, ritëm i ngadaltë i zbatimit të teknologjive të reja, borxhe dhe interesa për kredi pothuajse sa vlera e PBB-së. Pas 35 vjetësh pavarësi shtetërore, ekonomia është bërë e varur nga kreditë, nuk ka arritur ta përmirësojë ndjeshëm konkurrueshmërinë dhe vazhdimisht është e ekspozuar ndaj rreziqeve të jashtme për shkak të varësisë së madhe nga importi, thonë analistët. Një nga betejat më të rëndësishme ishte ajo për ruajtjen e stabilitetit të kursit të denarit, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Kurs i qëndrueshëm i denarit, varësi nga importi, kreditë, deficit në bilancin tregtar

Nga viti 1993 e deri më tani, norma e rritjes ekonomike më e lartë se 5% është arritur vetëm tri herë, në vitin 2006 prej 5,1%, në vitin 2007 prej 6,5% dhe në vitin 2008 prej 5,5%. Nga ana tjetër, ekonomia ka qenë në recesion disa herë. Në vitet kritike pas pavarësimit, në vitin 1993, PBB-ja shënoi rënie prej 7,5%, ndërsa recesion pati edhe në dy vitet pasuese. Vite të vështira ekonomikisht, me rritje negative, ishin 2001, 2009, 2012, 2020.

Profesori Sami Bislimi thotë se për shkak të mungesës së reformave strukturore për forcimin e ekonomisë dhe strukturës së pafavorshme të ekonomisë, gjatë gjithë këtyre viteve nuk arritëm të realizojmë norma të qëndrueshme dhe më të larta të rritjes së PBB-së, të cilat do t’i ndienin qytetarët.

“Ekonomia po e humb ‘frymën’, ne madje i kemi humbur edhe mundësitë për rimëkëmbje. Koha e humbur nuk kthehet, miliardat e shpenzuara u avulluan pothuajse pa asnjë arsyetim ekonomik. Kemi hyrë thellë në krizë ekonomiko-financiare. PBB-ja shtesë është pothuajse me të njëjtën vlerë sa detyrimet në emër të interesave për borxhin publik”, thotë profesori Bislimi.

Profesori Ljube Tërpevsk, një nga ish-guvernatorët e Bankës Popullore, gjatë mandatit të parë të të cilit ndodhi edhe zhvlerësimi i denarit, për Portalb.mk shpjegon se vitet pas pavarësimit ishin jashtëzakonisht të vështira për ekonominë ,me hiperinflacionin e trashëguar, për të cilin duhej gjetur një zgjidhje.

“Duke pasur parasysh se pas pavarësimit u përballëm me hiperinflacion të madh, i cili nga federata e atëhershme u përhap edhe në shtetin tonë, duhej të merreshin masa për qetësimin e inflacionit. U vlerësua se kjo mund të bëhej përmes një kursi të qëndrueshëm valutor të denarit, me çka de facto u vendos politika e kursit fiks të denarit, edhe pse ligjërisht lejohen luhatje të caktuara të kursit. Te kjo strategji ekziston rreziku që kursi i denarit të mbivlerësohet dhe kjo të ndikojë në mënyrë dekurajuese në eksportin, ndërsa stimuluese në importin. Megjithatë, shumë analiza tregojnë se kursi është real”, thotë profesori Tërpevski.

Në vitin 1993, inflacioni në vend ishte 229,6%, në vitin 1994 u ul në 55,4%, ndërsa në vitin 1995 zbriti në 9,2%. Në vitet e mëvonshme, një nga normat më të larta të inflacionit, prej 18,7%, u mat në vitin 2022, vitin e krizës së KOVID-it. Gjatë dy viteve të fundit, sërish po zhvillohet një betejë me presionet inflacioniste, me një normë vjetore inflacioni më të lartë se 4%.

Gjatë këtyre 35 viteve të pavarësisë, borxhi publik i shtetit është rritur ndjeshëm. Sipas ekonomistëve, pyetja më e rëndësishme është se për çfarë u shpenzuan këto kredi dhe nëse këto “miliarda” euro e përmirësuan standardin e qytetarëve.

“Ne jetojmë me para të marra hua. Përballemi me rritje të deficitit buxhetor, rritje të deficitit në bilancin e tregtisë së jashtme, rritje të deficitit të llogarisë rrjedhëse, të hyrat në llogarinë kapitale janë minimale, ndërsa llogaria financiare është gjithmonë me bilanc negativ. Këtë vit përballemi me një ulje drastike të fluksit të investimeve të huaja direkte dhe investimeve të tjera, çka imponon nevojën për huamarrje shtesë për të vendosur ekuilibër në bilancin e pagesave. Në të kundërtën, do të përballemi me gjendje insolvence, përkatësisht paaftësi për shlyerjen në kohë të borxheve të maturuara. Ne na pret falimentimi; me rritjen e huamarrjes, gjendja e falimentimit vetëm shtyhet”, konsideron profesori Bislimi.

Sipas të dhënave të disponueshme nga Ministria e Financave, në vitin 2002 borxhi i përgjithshëm publik arrinte në 1.829.900.000 euro, ose 43,2% të PBB-së, ndërsa sot, në fund të gjysmëvjetorit të parë të vitit 2026, arrin në 10.726.000.000 euro, ose 58,8% të PBB-së.

Pavarësia monetare ndodhi më 26 prill 1992, me vendosjen e valutës së re, fillimisht si bon me vlerë, e më pas edhe si njësi monetare – Denari. Në fund të vitit 1993, zyrtarisht përfundoi procesi i zëvendësimit të bonëve me valutën e re vendase.