Në Kumanovë u shënua dita e Komandës së Operacioneve, u theksua rëndësia e gatishmërisë ushtarake

Me një ceremoni solemne në kazermën “Boro Menkov” në Kumanovë, sot u shënua 17 Tetori – Dita e Komandës së Operacioneve. Në ceremoni morën pjesë presidentja dhe komandantja supreme e Forcave të Armatosura, Gordana Siljanovska-Davkova, ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajllovski, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Sashko Lafçiski, si dhe përfaqësues ushtarakë, diplomatikë dhe të pushtetit lokal, transmeton Portalb.mk.

Siljanovska-Davkova theksoi rëndësinë e Komandës së Operacioneve në mbrojtjen e shtetit, duke nënvizuar se gatishmëria e Ushtrisë nuk varet vetëm nga numri i pjesëtarëve dhe pajisjet moderne, por edhe nga njohuritë, disiplina dhe aftësia për të vepruar në mënyrë efikase.

“Komanda e Operacioneve është një nga shtyllat e sistemit mbrojtës të Ushtrisë, sepse pikërisht në të ndërthuren komandimi, trajnimi, organizimi dhe aftësia për veprim. Por, fuqia operative nuk është vetëm çështje e numrit të pjesëtarëve dhe pajisjeve moderne, por varet më së shumti nga njohuritë, disiplina, vlerësimi i duhur dhe gatishmëria për të marrë iniciativa”, tha Siljanovska-Davkova.

Ajo theksoi se anëtarësimi në NATO dhe harmonizimi me standardet e Aleancës dëshmojnë se Maqedonia e Veriut është aleate e besueshme, ndërsa kërkoi që kriteret e qarta dhe vlerësimi konsekuent i arritjeve të zbatohen edhe në procesin e integrimit evropian.

“Me përmbushjen e detyrimeve të marra dhe harmonizimin me standardet e Aleancës, Ushtria e Maqedonisë ka dëshmuar se edhe një shtet i vogël mund të jetë aleat i besueshëm. Ndërveprueshmëria, trajnimi dhe pjesëmarrja e saj në aktivitetet e përbashkëta janë dëshmi e qartë e kontributit tonë të madh në sigurinë kolektive”, tha presidentja.

Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, vlerësoi se pjesëtarët e Komandës së Operacioneve kanë kontribut të rëndësishëm në sigurinë e vendit, si brenda ashtu edhe jashtë tij. Ai veçoi angazhimin e tyre gjatë fatkeqësive natyrore, zjarreve dhe situatave të tjera të krizës, si dhe pjesëmarrjen në operacionet shumëkombëshe të NATO-s.

“Me punën tuaj dëshmoni se Maqedonia është anëtare e përgjegjshme e Aleancës, një shtet që nuk është vetëm përfitues i sigurisë kolektive, por kontribuon aktivisht edhe në forcimin e saj. Kjo është një përgjegjësi që nuk mund të matet vetëm me numrin e detyrave, stërvitjeve apo misioneve të realizuara”, tha Misajllovski.

Ai shtoi se Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm do të vazhdojnë angazhimet për përmirësimin e kushteve të punës, investimin në burimet njerëzore dhe modernizimin e Ushtrisë, me qëllim krijimin e një ushtrie më të fuqishme, më moderne dhe më të pajisur.

Ndërkaq, komandanti i Komandës së Operacioneve, gjeneral brigade Mirçe Gjorgoski, foli për rezultatet e arritura gjatë periudhës së kaluar, duke veçuar stërvitjen “BLESOK 26”, në të cilën Grupi i Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë u vlerësua me notat më të larta nga vlerësuesit e NATO-s.

“Vlerësimet më të larta që morëm nga vlerësuesit e NATO-s janë pasqyrim i punës së palodhshme dhe të përkushtuar të ushtarëve dhe eprorëve që janë pjesë e Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë”, tha Gjorgoski.

Ai përmendi edhe modernizimin e Ushtrisë, përfshirë pajisjen me automjete të blinduara JLTV dhe STRYKER, topat 105-milimetërsh BORAN dhe raketat MISTRAL, të cilat, sipas tij, kanë kontribuar në forcimin e fuqisë së zjarrit dhe avancimin e kapaciteteve ushtarake.

Në kuadër të ceremonisë, si njësia më e mirë u shpall Batalioni i Dytë i Këmbësorisë nga Brigada e Parë e Këmbësorisë. Gjithashtu, u ndanë masa stimuluese për pjesëtarët që kanë treguar rezultate të veçanta, si dhe pllaketa e mirënjohje për disa njësi dhe bashkëpunëtorë të Ushtrisë. Komanda e Operacioneve u dekorua këtë vit me Urdhrin për Merita Ushtarake nga presidentja Siljanovska-Davkova.

17 Tetori shënohet tradicionalisht në nder të vitit 1878, kur në fshatin Kresnë u formua shtabi i Kryengritjes së Kresnës, ngjarje që konsiderohet një nga shtyllat e traditave ushtarake maqedonase.