28 nëntori në Maqedoninë e Veriut: Edhe festa bëhet shkas për gjuhë të urrejtjes, e jo respekt ndërkulturor
Më datë 28 nëntor, kur shqiptarët në mbarë botën shënojnë ditën e pavarësisë, edhe rrugët e disa qyteteve të Maqedonisë së Veriut u veshën me ngjyrat kuq e zi. Në momentet e festës së madhe, që ndonëse jo zyrtare, është ndër simbolet më të rëndësishme kombëtare, ashtu si dhe vitet e kaluara, raportimi mediatik dhe pasqyra e përgjithshme publike rreth kësaj feste në shtet, lë shumë për të dëshiruar. Me fjalë të tjera, edhe festa bëhet shkak i nxitjes së narrativeve negative, përbuzëse dhe urrejtëse ndëretnike, shkruan Portalb.mk.
Tendencë e vazhdueshme për të krijuar grupime konfliktuoze brenda shoqërisë pa dyshim që është një rrymë e ushqyer nga faktorë të ndryshëm, që nga historia por edhe aktualisht. Një shoqëri demokratike dhe multikulturore siç është ajo e Maqedonisë së Veriut, nevojitet të evidentojë burimet e antivlerave dhe t’i adresojë ato me vendosmëri dhe efikasitet. Sipas gazetarit Borjan Jovanovski, me eksperiencë shumëvjeçare të ndjekjes së dikursit publik, gjuha e urrejtjes është një pasqyrë e shkallës së zhvillimit demokratik dhe qytetërues në të cilin ndodhet shoqëria jonë.
“Jotoleranca dhe urrejtja ndaj dikujt me të cilin jetojmë për shekuj me radhë është tregues i nivelit të kulturës në Maqedoni, përfshirë sigurisht edhe kulturën politike. Kjo gjendje është rezultat i nivelit të kulturës politike dhe elitës politike që drejton shtetin, pasi në këto 35 vjet pavarësi ata nuk kanë ndërmarrë asgjë që këto probleme të tejkalohen. Problemin e gjejmë në shumë fusha, si në arsim, ashtu edhe në mediat tona”, shprehet ai.

Vihen re raste kur janë pikërisht persona publikë, zyrtarë shtetërore me deklarate tendencioze ata që hapin rrugën e urrejtjes në baza të ndryshme, qofshin ato ndëretnike, ndërfetare, apo ndërgjinore. Raste të tilla kishte edhe këtë nëntor, kur një punonjës shtetëror, polic i komunës së Strugës, me kombësi maqedonse publikisht ofendoi flamujt shqiptarë të vendosur përgjatë lumit Drini i Zi për festën e 28 Nëntorit, duke i quajtur shqiponjat “çafka”.
Veç kësaj, trajtimi i festës në mediat shtetërore maqedonase ishte vetëm në funksion të evdientimit të parregullësive, shumë herë të njëanshme, duke bërë që hapësira virtuale e komunikimit dhe këmbimi i ideve, të kthehet në një forum ku mbizotërojnë fjalët fyese të njëpasnjëshme në formën e komenteve të qytetarëve. “Asnjë media në gjuhën maqedonase as nuk tentoi ta informojë publikun, qoftë edhe me një reportazh të shkurtër për atë se çfarë do të thotë kjo festë për shqiptarët, si dhe pse festohet”, shton Jovanovski.
Raportimin jokorrekt mediatik e dënon edhe aktivisti Umejr Muhamedi duke thënë se mënyra e raportimit për këtë festë është skajshmërisht tendencioze dhe joprofesionale, duke pasur parasysh se u jepet rëndësi më e madhe “budallalëqeve të disa të miturve, dhe jo thelbit të vetë festës.”
“Mllefi i akumuluar ndaj sistemit jofunksional nuk duhet të shprehet përmes përhapjes së jotolerancës etnike, sepse në atë mënyrë, përveç se mbetemi bosh në xhepa për shkak të të ardhurave të ulëta dhe bosh në mendje për shkak të sistemit arsimor katastrofal, do të mbetemi bosh edhe në shpirt për shkak të energjisë negative që do të përhapnim në këtë formë”, shprehet Muhamedi.

Mekanizmat ligjorë që duhen aktivizuar kur persona publikë apo aktorë të tjerë me ndikim në shoqëri përdorin gjuhën e urrejtjes në hapësirën publike janë të shumtë, e për këto aktivistja dhe juristja Mersiha Smailovic, thotë: “Në vendin tonë ekziston një kornizë ligjore e qartë dhe tashmë e vendosur që e sanksionon gjuhën e urrejtjes, para së gjithash Kodi Penal, i cili në nenin 319, nenin 394, nenin 394-d dhe nenin 417 e definon dhe e ndëshkon pa mëdyshje nxitjen e urrejtjes, përçarjes dhe jotolerancës nacionale, etnike, racore ose fetare.
Çdo person, pa marrë parasysh nëse është deputet, kryetar komune, funksionar, përfaqësues politik, influencues, punonjës mediatik apo nëpunës shtetëror, e që me fjalimin e tij publik i plotëson elementet e këtyre veprave penale, duhet të procedohet. Funksioni publik nuk është justifikim dhe as mbrojtje nga përgjegjësia penale; përkundrazi, ai imponon një detyrim më të lartë për përmbajtje, duke pasur parasysh se gjuha e përdorur nga persona me pushtet ka forcë më të madhe të shkaktojë dëm, frikë dhe destabilizim të kohezionit ndëretnik.
Sistemi juridik tashmë ofron mjete të mjaftueshme. Ajo që mungon është zbatimi i qëndrueshëm, i guximshëm dhe i paanshëm i ligjit, veçanërisht kur autorët janë persona me ndikim politik.”

Aktivisti Dehran Asanov, i cili që gjatë kohë ndjek gjendjen e raporteve ndëretnike, vlerëson se kjo gjuhë urrejtje, që tashmë është bërë diçka e modës, “in” ushqehet nga institucione që nuk reagojnë.
“Nëse gjuha e urrejtjes tolerohet, siç e kemi parë, në nivelet më të larta të zyrtarëve shtetëror si kryeministër, ministër, atëherë ajo miratohet në mënyrë pasive, ndërsa reagimet e aktivistëve nuk kanë fuqi që të bëjnë ndryshimin e nevojshëm. Ekziston, pra, një atmosferë mosdënimi, pasi kur heshtim përballë gjuhës së urrejtjes, do të thotë se e miratojmë atë. Prandaj në çdo rast, përfshi edhe festat e bashkësive etnike, do të kemi reagime të këtij lloji. Dhe themi në fund – sistemi i ka fajet. Është e çuditshme se pikërisht ata që e drejtojnë sistemin, janë ata që ia lënë fajin sistemit! Nevojitet të ekzistojë sanksionimi efikas, me të njëjtin precizitet që aktualisht po zbatohet për tejkalimin e shpejtësisë në komunikacion…pa marrë parasysh profesionin apo pozitën politike. Para ligjit jemi të gjithë të njëjtë.”, shprehet Asanov.
Është utopike mbase të pritet që jotoleranca dhe tendencat përçarëse të mos ekzistojnë, pasi faktet historike dhe zhvillimet shoqërore e përligjin një fenomen të tillë. Megjithatë apelojmë që zyrtarët politikë të bëjnë rolin e tyre që është pikërisht zbutja e vatrave të prushit të zjarreve potenciale ndëretnike, duke bërë më shumë për arsimimin e popullsisë mbi parimet tolerancës, respektit dhe vlerësimit të simboleve kombëtare. Nëse do të ekzistojë mbështetja për të njohur njëri-tjetrin, atëherë paragjykimet dhe gjuha e urrejtjes nuk do të jenë reagimet e para ndaj veçorive kulturore të bashkëqytetarëve.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Rrjeti i Diversitetit 2.0 – Agjenda e Re.