250 të evakuuar në rajonin e Kërçovës për shkak të përmbytjeve, nuk ka dalje të reja të lumenjve nga shtrati
Situata me përmbytjet që goditën disa rajone të vendit gjatë fundjavës, si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme, mbetet e pandryshuar, dhe shërbimet kompetente janë ende në terren, ku po ndërhyjnë për të nxjerrë ujin nga ndërtesat, transmeton Portalb.mk.
Banorët e disa rrugëve dhe vendbanimeve në rajonin e Kërçovës, shtëpitë e të cilëve u përmbytën, ende po akomodohen në sallën sportive “Hristo Uzunov”. Bëhet fjalë për 250 persona të evakuuar, të cilëve u është siguruar ushqim, ujë dhe produkte higjienike.
Sipas informacionit nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) për situatën me përmbytjet që nga ora 8:30 e mëngjesit të sotëm, nuk ka njoftime të reja për dalje nga shtrati të lumit Vardar pranë fshatit Forinë në Rajonin e Tetovës, si dhe për rrjedha të tjera ujore ku dje u regjistruan dalje nga shtrati dhe përmbytje.
Ndalimi i lëvizjes së autobusëve është vendosur në rrugën Tetovë – Kodër e Diellit, ndërsa përdorimi i pajisjeve dimërore është i detyrueshëm për automjetet e tjera të pasagjerëve.
Në rajonin e Manastirit, nëpërmjet numrit të vetëm të emergjencës – 112, sipas informacionit nga QMK-së, është marrë një njoftim nga një banor i rrugës “Bukviski Most” për një shtëpi të përmbytur.
“Rasti është raportuar në Departamentin Territorial të Zjarrfikësve të Manastirit për veprime të mëtejshme”, tha QMK.
Ata shtuan se niveli i lumit Crna Reka pranë fshatit Novac është 310 centimetra.
Për shkak të gjendjes së keqe të rrugës nga fshati Slivje deri në fshatin Kostinci, pas komunikimit me Njësinë e Vetëqeverisjes Lokale (NjVL) Dollnen, pritet ndërhyrja e Ndërmarrjes Publike (NP) “Rrugët e Maqedonisë”.
Në zonën e Kërçovës, siç informon QMK, nuk ka përmbytje të reja të ndërtesave.
“Situata mbetet e pandryshuar, ndërsa niveli i lumenjve dhe rrjedhave të ujit është duke u ulur vazhdimisht. 250 persona të evakuuar janë vendosur në palestrën sportive ‘Hristo Uzunov’, ku u janë siguruar ushqim, ujë dhe produkte higjienike”, tha QMK në informacion.
Një ekip nga Ndërmarrja Publike “Komunalec” dhe Departamenti lokal i Zjarrfikësve Territorialë, shtoi Qendra, po punojnë për nxjerrjen e ujit nga bodrumet në rrugët “Prilepska”, “Pirinska”, “1 Maji” dhe “29 Nëntori”.
Kujtojmë se shirat e rrëmbyeshëm në Maqedoninë e Veriut gjatë fundjavës përmbytën shumë rajone.