Këtë verë, do të nisin fluturimet nga Shkupi drejt dy destinacioneve të reja në Itali
Nga mesi i korrikut të këtij viti, do të nisin fluturimet nga Aeroporti i Shkupit drejt dy destinacioneve të reja në Itali. Nga 15 korriku, Wizz Air do të fluturojë nga Shkupi drejt Palermos në Siçili. Destinacioni i dytë i ri është drejt Alghero në Sardenjë, dhe ky fluturim fillon nga 18 korriku, transmeton Portalb.mk.
Fluturimet nga Shkupi drejt Palermos do të jenë tre herë në javë, të hënave, të mërkurave dhe të premteve, dhe çmimet fillojnë nga 29.99 euro. Linja ajrore drejt Algheros do të jetë dy herë në javë – të martave dhe të shtunave me çmime prej 39.99 eurosh.
Fluturimet drejt dy destinacioneve të reja, siç informoi TAV Maqedoni, janë planifikuar si linja sezonale, pra do të realizohen deri më 11 dhe 12 shtator.
TAV Maqedoni shton se linjat e reja nga Shkupi drejt Palermos dhe drejt Alghero përfaqësojnë një lidhje të drejtpërdrejtë me dy destinacione tërheqëse mesdhetare, të njohura për ofertën e tyre turistike, trashëgiminë kulturore dhe rëndësinë ekonomike.
“Palermo dhe Alghero janë vende që pasqyrojnë shpirtin e Italisë. Në Palermo në Siçili, vizitorët mund të presin një histori të pasur, pallate mbresëlënëse, katedrale dhe tregje të gjalla, duke ofruar një udhëtim të paharrueshëm përmes kulturës dhe shijeve të Siçilisë. Në Alghero në Sardenjë, turistët do të jenë në gjendje të shijojnë qetësinë e rrugëve mesjetare dhe peizazhet e bukura detare”, thuhet në deklaratë.
Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, në një postim në profilin e tij në Facebook, njoftoi një rritje të numrit të fluturimeve dhe pasagjerëve në linjat ajrore ekzistuese. Gjithashtu pritet që fluturimet nga Aeroporti i Shkupit të operohen me klasën më të fundit të “Airbus A321 neo”.
Nikolloski shtoi se këto janë linja që do të operojnë në sezonin e verës dhe se nuk parashikohen subvencione për to, gjë që, sipas tij, është një plus cilësor dhe një tregues se do të ketë gjithnjë e më shumë interes tregtar në Aeroportin e Shkupit.
Me fillimin e orarit të fluturimeve verore në fund të marsit, Aeroporti i Shkupit do të zgjerojë rrjetin e tij të linjave me dy linja të reja – për në Budapest dhe Napoli, ndërsa Aeroporti i Ohrit do të marrë një linjë të re për në Milano. Në maj, Austrian Airlines do të fillojë fluturimet nga Ohri për në Vjenë, dhe në qershor, Wizz Air do të prezantojë dy linja të reja nga Ohri për në Katovicë dhe Wroclaw.
Fluturimet nga Shkupi për në Napoli dhe Budapest nga Aeroporti i Shkupit do të fillojnë më 30 mars dhe do të operojnë çdo të hënë, të mërkurë dhe të premte.
Fluturimet nga Aeroporti i Ohrit për në të tre destinacionet do të operojnë dy herë në javë, për në Milano gjithashtu duke filluar nga 30 marsi, ndërsa për në Wroclaw më 7 qershor dhe për në Katovicë më 8 qershor.
Fluturimet nga Budapesti dhe Napoli për në Aeroportin e Shkupit do të fillojnë më 6 prill, ndërsa fluturimet për në Aeroportin e Ohrit nga Katovica, Wroclaw dhe Milano do të prezantohen më 28 qershor.