19.000 persona në RMV e kanë humbur vendin e punës nga krizat e vitit 2020 dhe 2021

Në Maqedoninë e Veriut 19.000 persona e kanë humbur vendin e punës gjatë krizave energjetike dhe shëndetësore të viteve 2020 dhe 2021. Qeveria thotë se nëse nuk do të kishin ndërhyrë, ky numër do të arrinte në 100.000. Nga ana tjetër, komunat të cilat kryesisht udhëhiqen nga opozita maqedonase, ankohen se Qeveria, gjatë krizës energjetike i ka lënë vetë të përballen, duke mos u ofruar ndihmë. Kjo, mes tjerash u tha në panel-debatin e organizuar në Shkup nga “Finance Think”, shkruan Portalb.mk.

Blagica Petreski, drejtoresha ekzekutive e Finance Think, e hapi debatin duke folur për rezultatet e hulumtimit të realizuar nën suazat e projektit “Monitorimi, vlerësimi dhe propozime për masat kundër krizës me një buxhet të ngushtë”, synimi kryesor i të cilit ishte “krijimi i njohurive të reja dhe identifikimi i ndikimit të krizës energjetike në ekonominë vendase, e matur kryesisht përmes disa objektivave, ndërmarrjeve, qytetarëve dhe komunave”.

“Rezultatet treguan se kompanitë vendase pësuan një rritje dyfish deri në pesëfish të çmimeve të energjisë elektrike… Sa i përket çmimeve të lëndëve të para, shumica e ndërmarrjeve në Maqedoninë e Veriut kanë pësuar rritje të çmimeve nga 20% në 50%“, tha Petreski.

Ndër strategjitë që ndërmarrjet kishin implementuar për t’u përballur me krizën, e para ishte racionalizimi i kostove tjera, kurse e dyta ishte rritja e çmimeve të produkteve fundore. Përpjekje për prodhim të energjisë elektrike kishin bërë vetëm disa ndërmarrje edhe atë ato që janë më të mëdha dhe kanë më shumë kapacitete.

Duhet të shtojmë faktin se nuk është për t’u neglizhuar përqindja e ndërmarrjeve që nuk kanë bërë asgjë, të cilës duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje në të ardhmen“, tha Petreski.

Sipas rezultateve, komunat janë prekur ndjeshëm, kryesisht nëpërmjet ofrimit të shërbimeve, të cilat kanë të bëjnë me ndriçimin publik, furnizimin me ujë dhe menaxhimin e çmimeve për shkollat, ku një pjesë e ndërmarrjeve rritën çmimet e shërbimeve për përdoruesit fundorë.

fatmir bytyqi
Fatmir Bytyqi, zëvëndës kryetar i Qeverisë

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, tha se një nga dilemat që qeveria i ka patur ka qenë nëse do të ndërmarrë masa shumë të ngushta dhe të fokusuara, por erdhën në përfundim se një gjë e tillë nuk mund të bëhet.

“Që të kesh masa specifike, duhet të kesh një sistem pa të meta në vendin ku funksionon dhe ne pamë gjatë periudhës së Covid-it edhe më gjerë mungesën dhe mosmarrëveshjen për të krijuar një sistem, një sistem institucional, për të mos investuar në digjitalizim dhe kështu me radhë”, tha Bytyqi.

Sipas Bytyqit, problem fillestar dhe kryesor në përzgjedhjen e masave ka qenë se të gjithë shihnin çfarë bëjnë shtetet tjera, por zgjidhjet e krijuara për probleme specifike të fqinjëve tanë nuk do të thotë se do të funksionojnë për ne.

“Ne ndoshta jemi mësuar në shoqëri se bari është gjithmonë më i gjelbër në anën e fqinjit, kështu që gjithmonë duam të shkelim atje. Unë thosha se duhet të ketë masa të përshtatshme për ekonominë tonë, qytetarët tanë. Ndoshta ato do të jenë të ndryshme nga të gjitha të tjerat, por vetëm ato mund të sjellin efekte”, tha ai.

Maja Kadievska Vojnoviq, anëtare e Komitetit ekzekutiv në partinë VMRO-DMNE, ndonëse tha se nuk dëshiron sonte ta marrë rolin e kritikueses, përfundoi duke kritikuar mënyrën se si qeveria është përballur me krizën, si e kanë parashikuar partia e saj këtë krizë dhe çfarë kanë dashur të ndërmarrin. Sipas saj, inflacioni ynë nuk është i importuar.

“Kriza filloi nga mesi i vitit 2021 dhe tronditja që përjetuam për herë të parë ishte tremujori i fundit i vitit 2021 për sa i përket prodhimit vendas të energjisë elektrike. Më pas kemi shpenzuar 86 milionë euro në transferta në Elektrana e Maqedonisë së Veriut (EMV), dhe e gjithë shuma e shpenzuar e EMV në vitin 2002 është rreth 320 milionë euro, para për të cilat nuk kemi llogari nga qeveria dhe do të donim, ja ku është qeveria, për të na treguar se ku i kanë shpenzuar 320 milionë euro. Nëse, sipas analizës, Blagica thotë se nga ai buxhet, le të themi, 80% kanë shkuar për subvencionimin e popullsisë, do të donim ta shihnim atë në shifra”, tha Vojnoviq.

Kësaj krike Bytyqi iu përgjigj duke thënë se nëse shteti nuk do të kishte ndërhyrë në krizat e vitit 2020 dhe 2021, në RMV do të mbeteshin pa punë 100.000 njerëz.

“Dhe nëse ka krizë dhe ju qëndroni anash dhe nuk intervenoni dhe pastaj duke e ditur që mundesh të kesh me deficitin buxhetor, atëherë dëmi do të jetë më i madh. Dhe, unë jam njëri prej atyre i cili thotë se jam gjithmonë i guximshëm të thotë, nuk kam kurrfarë problemi, dilni jepni dorën, nëse duhet 100.000 njerëz të mbeteshin pa punë në vitin 2020 dhe 2021 pa punë, që të mos intervenojmë, do ta bëjmë. Por, 100.000 njerëz do të mbeteshin pa punë, përballë 19.000 personave që mbetën pa punë dhe për të cilët më vjen keq dhe për atë është deficiti minus 8%”, tha Bytyqi.

KRRE, bislimovski
Marko Bislimovski, kryetari i Komisionit Rregullator për Energji

Marko Bislimovski, kryetari i Komisionit Rregullator për Energji tha se kriza energjetike na tregoi atë që e kemi pat vënë nën qilim për 30 vjet. Sipas tij, ne kemi hyrë në një krizë sepse jemi mësuar me atë se çmimi i energjisë elektrike është i lirë dhe si pasojë shfrytëzimi i saj është bërë i paarsyeshëm.

“Dhe për këtë arsye, si rregullatorë të komisionit të energjisë, na është dashur të implementojmë tarifat, duke pasur parasysh se kemi pasur të dhëna se 1% e amvisërive kanë shfrytëzuar 20% të energjisë elektrike të caktuar për amvisëri”, tha Bislimovski.

Ai shtoi se e vetmja zgjidhje për këtë situatë janë investimet: investimet në kapacitete prodhuese, investime në rrjet dhe infrastrukturë.

“Kjo do të thotë deri në fund të vitit do të kemi dy termocentrale të reja lokale të Manastirit dhe një termocentral në Oslomej”, tha ai, me anë të të cilëve parashikonte deri në 16% ulje të energjisë elektrike të importuar.

bnjvl, gjeorgjievski
Orçe Gjeorgievski, kryetar i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL)

Orçe Gjeorgievski, kryetar i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), tha se njësitë e vetëqeverisjes lokale në kohën e krizës, përveç se nuk kanë pasur ndihmë nga qeveria, kanë pasur edhe pengesa.

“Në një krizë energjetike që e kemi kaluar të gjithë… nuk ndodhi brenda natës, u njoftua muaj më parë… Dhe këtu ne si vetëqeverisje lokale u lamë vetëm, përpos rekomandimeve me shkrim që na kanë ardhur nga qeveria”, tha ai.

Madje, për bllok dotacionet, shtoi Gjeorgievski, kanë pasur edhe ulje. Ai vlerësoi se është e pakuptimte duke shtuar se gjatë asaj periudhe qeveria ka shpenzuar me miliona euro për borxhet e komunave, që sipas tij është qasje shumë e gabuar.

“Po të kihet parasysh se gjatë krizës së Covid-it, qeveria atëherë… investoi mbi 50 milionë në komuna për fshirjen e borxheve, që unë e konsideroj një qasje shumë të gabuar që motivon jo punëtorët dhe ata që i trajtojnë buxhetet komunale në mënyrë të papërshtatshme“, tha ai.

Së fundmi, Gjeorgievski theksoi se BNJVL ka investuar shumë në dobësitë e njësive të vetëqeverisjes lokale, duke marrë si shembull që në komunën e tij është arritur që të gjitha objektet publike të jenë energjetikisht të pavarura, që jo vetëm të mos ketë nevojë të kërkojnë investime kapitale në kohë krize, por edhe dotacionet që do t’i marrin në të ardhme për këtë arsye të orientohen në vende tjera që janë në interes të qytetarëve.

bujqesi, ekonomi, dhoma ekonomike, derebanov
Nikola Derebanov, ekspert në bujqësi dhe ekonomi qarkulluese

Nikola Derebanov, ekspert në bujqësi dhe ekonomi qarkulluese dhe gjithashtu anëtar i bordit drejtues të dhomës ekonomike të Maqedonisë së Veriut, tha se pa ndryshime në strukturë nuk mund të rrisim prodhimin e ushqimit brenda natës.

“Nuk mund të presësh që Maqedonia të prodhojë ushqim me ferma që kanë mesatarisht 1.8 hektarë në dispozicion, pra janë shumë të vogla”, tha ai, duke shtuar se për shkak të kësaj sado që të investohet në këto ferma, nuk mund të pritet të ketë ndonjë revolucion në prodhimin vendor të ushqimit, kur 80% e fermerëve kanë nga dy hektarë tokë.

Në vend të kësaj, sipas tij, të gjitha politikat në bujqësi duhet të synojnë të pasurojnë fermerët, që jo vetëm të rriten në numër, por edhe ato që janë të vazhdojnë të qëndrojnë.

“Masat për këtë janë të shumta, që nga ndryshimi i Ligjit për Tokën Bujqësore e deri te ndryshimi i modelit të subvencionimeve”, tha Derebanov.

Gjithashtu, ai tha se duhet të bëhen përpjekje në instalimin e sistemeve për ujitje, sepse pa ujë, asgjë që ka të bëjë me bujqësinë nuk mund të diskutohet.

Deri tani për shumë projekte Derebanov tha se janë realizuar me anë të IPA fondeve dhe pret që edhe në të ardhmen të vazhdojnë këto investime.