RMV, 15 doktorë shkencash dhe 550 magjistër shkencash rrinë në shtëpi të papunë

Gjithsej 15 doktorë shkencash, 550 magjistra dhe 6688 persona me arsim të lartë të përfunduar janë në kërkim të punës, sipas të dhënave për muajin dhjetor 2023, të Agjencisë së Punësimit të RMV (APRMV). Në këtë listë, me numër më të madh janë ata të fushës së shkencave juridike dhe ekonomike, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Siç informojnë nga APRMV, nga magjistrat e shkencave që presin për punësim, shumica janë magjistra të shkencave juridike, shkencave ekonomike dhe administrimit të biznesit. Pastaj në listë vijojnë inxhinierë-arkitekt, magjistra të farmacisë, të shkencave politike, pastaj magjistra të menaxhimit të marketingut, shkencave psikologjike dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

“Për sa u përket doktorëve të shkencave, në evidencën e personave të papunë janë regjistruar doktor i shkencave ekonomike, doktor i shkencave politike, doktor i shkencave informative, pastaj doktor i shkencave të shëndetësisë publike, doktor i shkencave në fushën e sigurisë, doktor i çështjeve juridike, doktor i shkencave filologjike, doktor i çështjeve sociale dhe i politikës sociale, doktor i pedagogjisë dhe profile të tjera të personave të papunë që janë doktorë shkencash”, kanë thënë nga APRMV.

Personat e papunë, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, zakonisht udhëzohen të marrin pjesë në trajnime ku mund të fitojnë njohuri dhe aftësi shtesë, kurse punëdhënësit motivohen të organizojnë trajnime në vendet e tyre të punës, me pajisjet dhe teknologjinë e tyre, në mënyrë që të të trajnojë kandidatët potencialë sipas nevojave të tyre.

Gjithashtu, personave me diploma të larta u ofrohet punë përmes programeve të ndryshme të punësimit, por ata shpesh refuzojnë sepse mendojnë se ajo që u ofrohet nuk është e përshtatshme për shkollimin e tyre.

Ndryshe, në shtet, numër rekord të doktorëve të shkencave të papunë kemi pasur në vitin 2018, kur në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale janë regjistruar si të papunë 33 mjekë. Sipas të njëjtave të dhëna të asaj kohe, ishin të papunë edhe 866 magjistra shkencash, si dhe gati 11 mijë persona me arsim të lartë. Këto shifra ishin të larta sepse atëherë arsimi i lartë u bë më i qasshëm, u hapën shumë fakultete dhe u ulën kriteret e pranimit, duke rritur kështu edhe kriterin e kalimit.

Rikujtojmë se Portalb vitin e kaluar bëri një krahasim të drejtimeve ku regjistrohen më shumë student dhe sektorëve të tregut që kanë më shumë nevojë për punonjës, sipas të cilës prej vitit 2018, çdo vit më shumë nxënës zgjedhin drejtime të ekonomisë ose biznes-turizëm dhe degë të drejtësisë, kurse çdo vit tregu i punës kërkon punonjës në industrinë përpunuese dhe mjeshtër për riparimin e mjeteve motorike. Nga Agjencia për Cilësi në Arsimin e Lartë që bën akreditimin dhe evaluimin e programeve studimore dhe të vetë institucioneve të arsimit të lartë, deklaruan se nuk janë të obliguar t’i bëjnë analizë të tregut që t’i shmangemi problemit të tillë.