RMV, drejtimet që kanë më shumë studentë nuk janë në përputhje me kërkesat e tregut, mungojnë analizat

Në pesë vitet e fundit, shumica e studentëve të Maqedonisë së Veriut që janë regjistruar në universitetet e vendit, çdo vit kanë zgjedhur thuajse të njëjtat degë studimore. Të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave (EShS) tregojnë se një pjesë e madhe e studentëve regjistrohen në ekonomi, biznes dhe turizëm, drejtësi dhe siguri publike. Problemi qëndron në faktin se kur ata kërkojnë punë pas diplomimit, ndeshen me konkurrencë të ashpër sepse garojnë për të njëjtat pozita, ndërkaq në to nuk ka vende të mjaftueshme për të gjithë. Nga ana tjetër, Agjencia për Cilësi në Arsimin e Lartë (ACAL) që bën akreditimin dhe evaluimin e programeve studimore dhe të vetë institucioneve të arsimit të lartë nuk është e obliguar të bëjë analizë të tregut që t’i shmangemi problemit të tillë, raporton Portalb.mk.

Portalb.mk ka siguruar të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikës  për regjistrimin e studentëve në vit të parë prej vitit akademik 2018/2019 deri në vitin akademik 2022/2023 për secilin fakultet në RMV. Të dhënat janë grupuar duke u bazuar në rregullat e kategorizimit të Agjencisë për Administrim për të nxjerrë një mesatare të përbashkët për secilën kategori. Rezultatet e grupimit tregojnë se një pjesë e madhe e studentëve regjistrohen në ekonomi, biznes dhe turizëm, drejtësi dhe siguri publike.

Infografik: Mesatarja vjetore e studentëve të regjistruar gjatë pesë viteve të fundit. Burimi i të dhënave: Enti Shtetëror i Statistikës
Infografik: Mesatarja vjetore e studentëve të regjistruar gjatë pesë viteve të fundit. Burimi i të dhënave: Enti Shtetëror i Statistikës

Nga ana tjetër, nëse analizohen të dhënat e EShS, se sa këto studentë kanë në dispozicion vende të lira të punës, mund të shihet se sektorët që kanë më shumë vende të lira janë: Industria përpunuese, riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave nga sektori i Tregtisë me shumicë dhe pakicë, ndërtimtaria, shërbimet administrative dhe të ndihmës si dhe transporti dhe deponimi.

Nga analiza e mundësive të punësimit është përjashtuar vetëm mjekësia me 2095 regjistrime në vit, për shkak se prej të gjithë të regjistruarve, më pak se gjysma arrijnë të diplomojnë. Për shembull, në vitin 2022 ka gjithsej 1003 të diplomuar, dhe ky numër i përfshin të gjitha degët (mjekësi e përgjithshme, stomatologji, infermieri, fizioterapi, e tjerë). Për më tepër, disa prej tyre do të duhet të vazhdojnë specializim dhe nuk mund të konsiderohen si kuadër adekuat për të plotësuar një pjesë të pozitave ku ka mungesë kuadri.

Infografik: Mesatarja vjetore e vendeve të lira të punës gjatë pesë viteve të fundit. Burimi i të dhënave: Enti Shtetëror i Statistikës
Infografik: Mesatarja vjetore e vendeve të lira të punës gjatë pesë viteve të fundit. Burimi i të dhënave: Enti Shtetëror i Statistikës

Industria përpunuese për momentin është sektori që kërkon më shumë punonjës. Këtu përfshihen të gjitha veprimtaritë që krijojnë prodhime nga lëndë të para, domethënë industria e tekstilit, e këpucëve, kimikateve, makinerive etj. Industria përpunuese është e gjerë, kështu që për t’u punësuar ka disa pozita: nga rrobaqepës i vetëpunësuar e deri te një inxhinier i mekanikës. Shkencat e zbatuara, inxhinieria, inxhinieria kompjuterike (elektronika, makineria…) dhe deri diku edhe shkencat matematiko-natyrore (kimia dhe fizika) janë drejtime me të cilat mund të punësohen të rinjtë në këtë fushë.

E dyta në listë është riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave nga sektori i Tregtisë me shumicë dhe pakicë, me 1548 vende të lira pune në vit. Për këtë fushë nuk është e domosdoshme një diplomë aq sa është praktika në dyqanin ose fabrikën përkatëse.  E treta është ndërtimtaria me 832 vende të lira, më pas vijon sfera e shërbimeve administrative dhe të ndihmës si dhe transporti dhe deponimi.

Drejtimet që kanë më shumë studentë, nuk janë në përputhje me kërkesat e tregut

Nëse analizohen vetëm pesë sektorët që kanë më shumë vende të lira të punës, mund të konkludojmë se ata nuk përputhen me drejtimet ku regjistrohen më shumë studentë. Drejtimet e ekonomisë, biznesit dhe turizmit, drejtësisë dhe sigurisë publike nuk prodhojnë kuadro për katër prej pesë sferave ku ka më shumë vende pune.

Edhe pse sektori i tregtisë duket se ka më shumë vende të lira që do të ishin destinuar për studentët e ekonomisë dhe biznesit, ku në fakt ka dhe interes më të lartë, realisht prej këtij sektori kërkesa më e madhe është te riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave.

Një nga problemet kryesore është se dy drejtimet më të dendura me studentë kanë mundësi punësimi në sektorë të njëjtë.

Përveç faktit se në këto sektorë së bashku ka më pak vende të lira të punës sesa është numri i studentëve që regjistrohen në ekonomi, biznes dhe turizëm, ata për të njëjtat pozita duhet të konkurrojnë madje dhe me disa prej studentëve të drejtësisë dhe sigurisë publike. Situatën më tej e vështirëson fakti se në sektorin e arsimit është më rëndë të gjendet punë, sepse pothuajse të gjitha degët studimore kanë mundësi për t’u punësuar në arsim, kurse mesatarisht në vit për këtë sektor ka 226 vende të lira pune.

Infograf: Mesataret e regjistrimit të studentëve nga viti akademik 2018/2019 deri në vitin akademin 2022/2023. Burimi i të dhënave: Enti Shtetëror i Statistikës
Infograf: Mesataret e regjistrimit të studentëve nga viti akademik 2018/2019 deri në vitin akademin 2022/2023. Burimi i të dhënave: Enti Shtetëror i Statistikës

Si përcaktohet numri i studentëve për një drejtim dhe kriteri (kuota) i pranimit të tyre?

Në Maqedoninë e Veriut, Agjencia për Cilësi në Arsimin e Lartë (ACAL) që bën akreditimin dhe evaluimin e programeve studimore dhe të vetë institucioneve të arsimit te lartë nuk është e obliguar të bëjë analizë të tregut që t’i shmangemi problemit të tillë.

Agim Rushiti, Drejtor i Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Larte (ACAL), dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, foto nga MASH
Agim Rushiti, Drejtor i Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Larte (ACAL), dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, foto nga MASH

Agjencia për Cilësi në Arsimin e Lartë (ACAL) është institucioni i cili bën akreditimin dhe evaluimin e programeve studimore dhe të vetë institucioneve të arsimit te lartë, në përputhje me Ligjin Për Arsim të Lartë, Rregulloret për Standardet për Akreditim. Në listën e standardeve që duhet të plotësojë një program studimor për t’u akredituar te ACAL, nuk kërkohet të bëhet analizë e tregut si bazë për të përcaktuar kriterin e pranimit të studentëve. Për këtë morëm konfirmim edhe nga Agjencia.

“ACAL nuk është organ që ka për obligim të bëjë analiza të tregut te punës dhe ngjashëm, ngase kjo nuk është e lidhur me procesin e akreditimit.” tha për Portalb.mk, Agim Rushiti, drejtor i ACAL. Megjithatë, ai shtoi se analiza e tregut të punës dhe përdorimi i saj si pikë orientuese në procesin e regjistrimit dhe pranimit të studentëve mund t’u ofrohet institucioneve, me kërkesë të Ministrisë së Arsimit ose Ekonomisë.

Kështu, mbetet që përcaktimi i kritereve të pranimit të studentëve në degët më kritike bëhet nga vetë institucionet e arsimit të lartë, pastaj të merret miratim nga Qeveria e RMV-së. Institucionet private nuk kanë nevojë për këtë të fundit.

“Kriteret për regjistrim të studentëve përcaktohen nga vetë institucionet e arsimit të lartë, konform konkursit për regjistrim dhe akteve të brendshme të vetë universitetit. Qeveria e RMV përcakton kuotën për universitetet shtetërore kurse ata private, vetë vendosin. MASH- ndan bursa për programet deficitare studimore dhe për kategoritë sociale të studentëve”, tha Rushiti.

Çfarë thonë studentët?

Të pyetur nga Portalb.mk për atë se pse kanë zgjedhur drejtimin ku janë regjistruar, disa student kanë thënë se u pëlqen drejtimi kurse disa të tjerë se me drejtimin që kanë është më lehtë të punësohen.

“Është drejtimi ideal ku unë e shoh veten të profesionalizuar dhe të plotësuar si person, ngaqë përmban po ashtu edhe një kombinim të shkëlqyer të sferave që unë parapëlqej.” thotë një studente e regjistruar në degën Komunikim Ndërkombëtar.

“Më pëlqen drejtimi, mënyra se si mund të krijojmë mundësi dhe kushte për të ardhmen, ndikimi ynë në pjesën e mjedisit, ruajtja dhe kultivimi i vlerave natyrore.” thotë studente e Ekologjisë, Fakulteti i Ekonomisë.

Studentët e informatikës deklaruan se kanë zgjedhur drejtimin e tyre për shkak të mundësive më të mëdha për punësim, por jo të gjithëve u është përshtatur.

“Në fillim ishim afër 40 studentë të rregullt, kurse në fund mbetëm 13. Shumica kërkonin punë me fotografim ose montim të videove. Në kompanitë që kërkojnë programerë, përfshirë edhe dy kompanitë ku kam punuar, vinin studentë për praktikë por pak zgjasnin më shumë se 2-3 muaj.” thotë student i informatikës.