Një burrë nga Shkupi dyshohet për vrasjen e gjyshes së tij

I dyshuari 28 vjeçar është nga fshati Novo Lisiçe dhe sipas kumtesës së Prokurorisë Themelore, dyshohet se ka ushtruar dhunë familjare, e cila është përshkallëzuar dhe si pasojë i ka marrë jetën gjyshes së tij, shkruan Portalb.mk.

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese ndaj 28 vjeçarit nga Shkupi, i cili dyshohet për dhunë familjare dhe vrasje.

“Më 18 janar, në shtëpinë e familjes në Novo Lisiçe, duke ushtruar dhunë në familje, i dyshuari me dashje i ka marrë jetën gjyshes së tij. Sipas të dhënave fillestare, ai e ka sulmuar duke e goditur në kokë dhe në qafë dhe më pas e ka mbytur”, shkruan në kumtesën e Prokurorisë Themelore.

Prokurori publik ka kërkuar paraburgimin e të dyshuarit, sepse ekziston rreziku që ai të ikë, të ndikojë te dëshmitarët dhe ekspertët ose të kryejë një vrasje tjetër. Gjykatësi e ka pranuar propozimin dhe i ka caktuar të dyshuarit masën e paraburgimit prej 30 ditësh.