14 shkolla të Maqedonisë së Veriut fituan grante nga OSBE-ja

Shkollat e Maqedonisë së Veriut kanë pasur mundësi të fitojnë mbështetje financiare për realizimin e projekteve multietnike në shkolla, përmes Konkursit që realizohet nga Misioni i OSBE-së, transmeton Portalb.mk.

“Misioni i OSBE-së në Shkup, së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ndanë grante për 14 shkolla anembanë Maqedonisë së Veriut që do të mbështesin zbatimin e orëve të përbashkëta kurrikulare – klasa në të cilat dy mësues mbajnë orë të përbashkëta në dy gjuhë, si mjet për të nxitur shkëmbimin ndërmjet bashkësive të ndryshme etnike”, raportoi Misioni i OSBE-së në Shkup

Misioni i OSBE-së vlerësoi që ka pasur interesim të madh nga shkollat e Maqedonisë së Veriut për këtë Konkurs i cili siguron mbështetje financiare për shkollat partnere për realizimin e orëve mësimore në dy gjuhë.

“Kjo shënon fillimin e një ndërmarrjeje të re të përbashkët që do të zgjasë disa vite, duke sjellë ndryshime të rëndësishme dhe pozitive në institucionet publike arsimore dhe komunat në mbarë vendin”, tha shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Kilian Wahl.

Në vjeshtë të këtij viti do të hapet përsëri aplikimi për projektin “Ndërtojmë Ura të Reja”, paralajmërojnë nga Misioni i OSBE-së në Shkup.

Ndryshe, deri më 30 prill ka qenë i hapur Konkursi i Misionit të OSBE-së për shkollat e Maqedonisë së Veriut për mbështetje financiare deri 7 000 euro. Ky konkurs është në kuadër të nismës “Ndërtimi i urave të reja” që mbështetet nga Mbretëria e Norvegjisë, Republika e Polonisë dhe Dukata e Madhe e Luksemburgut.