Menaxhimi me krizat dhe parandalimi i dhunës në fokus të Konferencës së SMART Ballkan

Forcat e pamjaftueshme në terren, mungesa e fondeve dhe mbështetjes për shoqëritë vullnetare të zjarrfikësve, si dhe mungesa e mbështetjes psikologjike për profesionistët që për çdo ditë përballen me situata stresuese krize –janë disa nga dobësitë kryesore të sistemit për menaxhimin me krizat në Maqedoninë e Veriut. Gatishmëria e sistemit të menaxhimit me krizat në vend ishte në fokus të diskutimit të sotëm në Konferencën e dytë Kombëtare në kuadër të projektit “SMART Ballkan – Shoqëri Qytetare për Ballkan Perëndimor të Lidhur”, organizuar nga Qendra për Kërkim dhe Politikbërje – QKP, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Për sistemin e menaxhimit me krizat foli drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK) Stojançe Angellov, profesoresha universitare Dragana Batiq dhe Kire Mihajllov nga Shoqata Vullnetare e Zjarrfikësve Sveti Nikole.

Moderatori i diskutimit – Profesori Aleksandar Ivanov, tha se sistemi aktual i menaxhimit me krizat bazohet në Konceptin Kombëtar të Mbrojtjes nga viti 2003 dhe prandaj tani, dy dekada më vonë dhe pas një ndryshimi të kontekstit gjeopolitik global dhe rajonal, shtrohen pyetjet rreth dobësive dhe anëve të forta të sistemit.

Drejtori i QMK-së Stojançe Angellov vlerësoi se konfiguracioni aktual i sistemit është i mirë, por vetëm në letër.

“Parashtrohet pyetja kryesore – a menaxhojmë realisht me krizat apo krizat na menaxhojnë ne”, tha Angellov.
Ai shpjegoi procedurën e shpalljes së gjendjes së krizës dhe tha se Qendra e Menaxhimit me Krizat i koordinon të gjitha burimet shtetërore. Por, QMK, siç informoi Angellov, ka vetëm burime njerëzore, dhe që edhe ato nuk janë të mjaftueshme.

“Këtu fillojnë problemet – me forcat në terren. Në terren kemi mungesë të tyre, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet fqinje, sidomos në situata kur ka kriza më të mëdha siç ishin zjarret e mëdha që kanë ndodhur viteve të fundit. Një pjesë e forcave janë të vendosura në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, por ato nuk janë të mjaftueshme, ndërsa Drejtoria angazhon vullnetarë të cilët kanë statusin e forcave rezervë, gjegjësisht njësi që angazhohen sipas nevojës”, tha Angellov, dhe shtoi se sipas tij fokusi duhet të jetë pikërisht tek vullnetarët.

Angellov tha se përveç përforcimit të kapaciteteve të faktorit njeri, nevojitet ndihmë edhe “nga jashtë” në aspektin mjeteve materiale dhe teknike, të cilat shteti jonë nuk i ka.

Sektori vullnetar i zjarrfikësve është bazë për ndërtimin e një sistemi të sigurt zjarrfikës në vend. Por për zjarrfikësit vullnetarë, problemi më i madh janë mjetet financiare.

Kire Mihajllov nga Shoqata Vullnetare e Zjarrfikësve Sveti Nikole tha se shoqatat e këtilla hasin në “shuma simbolike” të cilat kanë qenë të detyruar t’i kërkojnë nga donatorë.

“Vetë kompanitë e sigurimeve duhet të jenë pak më shumë të dedikuara dhe të kenë një rol më të madh në mënyrën e financimit dhe sponsorizimit të shoqatave. Jemi sjellë në një situatë ku nuk mund t’i regjistrojmë automjetet dhe as t’i sigurojmë zjarrfikësit vullnetarë. Ne punojmë të pasiguruar, nuk marrim asnjë kompensim,” tha Mihajllov.

Ai informoi se sipas një analize të caktuar të bërë nga zjarrfikësit vullnetarë, kanë ardhur në përfundim se në vendin tonë ka 91 shoqata të tilla të regjistruara, por vetëm 34 prej tyre janë aktive, 56 janë joaktive, ndërsa 5 janë fshirë nga regjistri.

“Kur kontaktuam me kolegët tanë nga sektori profesional, erdhëm në konstatim se realisht funksionojnë vetëm 15 shoqata, nga të cilat vetëm 6 janë të pajisura me automjetet dhe pajisjet e nevojshme. Shifrat janë frapante dhe ne do të duhet të përpiqemi që përmes shtetit dhe donatorëve t’i furnizojmë me pajisje shoqatat e reja, që të mund ta përmirësojmë dhe rrisim potencialin e të gjithë sistemit të menaxhimit me krizat”, shtoi Mihajllov.

Mihajllov bëri një krahasim me Slloveninë, për të cilën tha se edhe përkundër faktit se për nga madhësia e territorit dhe e popullsisë është e ngjashme me Maqedoninë e Veriut, atje sistemi i menaxhimit me krizat kishte “një perceptim krejtësisht ndryshe për sektorin vullnetar të zjarrfikësve”.

“Sllovenët kanë 700 zjarrfikës me pagesë dhe 130.000 zjarrfikës vullnetarë, të cilët janë anëtarë të rreth 1.374 shoqatave të zjarrfikësve,” tha Mihajllov.

Duke folur për stresin e shkaktuar nga krizat, profesoresha universitare dhe psikologe Dragana Batiq tha se ofrimi i intervenimeve dhe i mbështetjes psikosociale në situatat e krizave është shumë i rëndësishëm.

Gjatë pandemisë së Covid-19 ne vërtet mësuam shumë për atë se si funksionon vendi ynë dhe se si funksionojmë ne në një situatë krize. Nga hulumtimet dihet se të gjitha ngjarjet e këtilla – fatkeqësitë elementare – shkaktojnë gjendje krize. Efekt më të madh stresues kanë situatat e dhunës të shkaktuara nga njerëzit – luftërat, konfliktet, aktet e dhunës që ndodhën në Beograd, sulmet terroriste, kërcënimet”, tha Batiq.

Ajo shtoi se përveç nevojës për mbështetje psikologjike për viktimat që i kanë mbijetuar krizave, është po aq e rëndësishme të mbështeten edhe personat që për shkak të angazhimit të tyre profesional janë ndihmës në situata të tilla – si policia, zjarrfikësit, punonjësit shëndetësorë.

“Mendoj se këtyre profesionistëve duhet të ofrohen trajnime të vazhdueshme për menaxhimin e stresit. Kur të gjenden në një situatë stresuese, duhet të dinë si të veprojnë – të qetësohen, e pastaj të punojnë me të tjerët. Flasim për lajmërimet për bomba në shkolla dhe dhunën. Ne kemi protokolle – i ka siguruar Ministria e Arsimit dhe Shkencës, protokolle për atë se çfarë duhet bërë me dhunën mes bashkëmoshatarëve, por kur ndodhin kriza të tilla, vetë mësuesit, mësimshënësit, policët, zjarrfikësit, duhet të jenë të gatshëm dhe të mos lihen vetëm. Në vendin tonë ka stigmatizim – ju jeni të fortë për t’i shpëtuar të tjerët dhe nuk duhet të keni emocione dhe të keni frikë. Kjo nuk është e ashtu. Këtu shteti disi e anashkalon këtë element. Të gjithë ne që punojmë jemi të pambrojtur dhe kemi nevojë për mbështetje dhe ndihmë, sidomos kur punojmë nën stres”, tha profesoresha Batiq.

Në panelin e dytë të Konferencës Kombëtare në kuadër të projektit SMART Ballkan u fol për përforcimin e kapaciteteve lokale për parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit të dhunshëm. Në këtë seancë folës ishin Zllatko Apostolloski, koordinator nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe parandalimin e terrorizmit, Villma Millçev, drejtoreshë e Qendrës për bazë të përbashkët dhe Lluka Paviçeviq nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme, ndërsa diskutimin e moderoi kryetarja e Shoqatës për zhvillim aktiv dhe të shëndetshëm të grave dhe fëmijëve “Pleiades”, Meral Musli Tajroska.

Në konferencë u nënshkruan edhe marrëveshje për grante me katër organizata të shoqërisë civile. Grantet e ndara janë në vlerë nga 30 deri në 50.000 euro për grant, nga linja e granteve – Intervenime kombëtare. Të gjitha projektet e tyre këto organizata do t’i realizojnë në një periudhë kohore dy vjeçare.

U nda edhe thirrja për grante rajonale, të cilën mund ta gjeni në këtë link.

Qëllimi kryesor i projektit SMART Ballkan, siç u theksua në konferencë, është të kontribuojë në përforcimin e demokracive participative dhe në integrimin euroatlantik në Ballkanin Perëndimor përmes përforcimit dhe inkurajimit të organizatave të shoqërisë civile (OSHC) dhe rrjeteve të ShC-ve për një rol më të fuqishëm dhe më aktiv në procesin e krijimit të shoqërive paqësore dhe gjithëpërfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Hanne Meldgaard, zëvendës shefe e misionit në Ambasadën e Mbretërisë së Norvegjisë në Beograd, tha se organizatat e shoqërisë civile kanë një kontribut të madh në mirëqenien e shoqërisë. Ajo tha se përmes mbështetjes norvegjeze për SHC-të përmes projektit rajonal SMART Ballkan, kanë për qëllim përforcimin e zërave të individëve dhe grupeve që kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e komuniteteve të tyre.

Ajo informoi se Norvegjia ka ndarë grante për organizatat maqedonase në vlerë prej rreth 570.000 euro.

“Këto kohët e fundit u pasuan nga një sërë krizash – dhunë tek të rinjve, përmbytje, sulme kibernetike, por edhe ekstremizëm në rritje. Sfidat e sigurisë globale si krimi kibernetik, pandemia apo siguria e ushqimit janë të pranishme në të gjitha vendet e botës. Aspekti i sigurisë duhet të ndahet me përgjegjësi, e jo të kufizohet vetëm tek qeveritë dhe tek ato që zbatojnë ligjet. Shoqëria civile ka një rol të madh në mirëqenien e shoqërisë… Sektori joqeveritar punon në parandalimin e konflikteve, ndërtimin e paqes, tolerancën, respektimin e diversitetit, gjë që ndihmon në uljen e dhunës dhe konflikteve. Dhe akoma më shumë, për të drejtat njerëzore dhe sociale – ju ofroni perspektiva të reja, zgjidhje inovative dhe bashkëpunim ndërmjet aktorëve socialë”, tha Meldgaard.

Drejtoresha ekzekutive e QKP-së, Marija Risteska, tha se organizatat e shoqërisë civile i njohin nevojat e segmenteve të ndryshme të shoqërisë maqedonase dhe përgjigjen përmes projektit SMART Ballkan, duke u ofruar atyre shërbime, mbrojtje, parandalim, ngritje të kapaciteteve, ndërgjegjësim apo avokim në emër të tyre për ndryshimin e politikave në pajtim me nevojat e tyre dhe për reduktimin e cenueshmërisë së tyre.

“Temat e thirrjeve ishin siguria dhe stabiliteti, si dhe qeverisja e mirë, ndërsa kishin për qëllim ngritjen e kapaciteteve, inkurajimin e një roli më aktiv të organizatave të shoqërisë civile, krijimin e partneriteteve rajonale ndërmjet organizatave, rritjen e ndikimit të qytetarëve në vendimmarrje dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të sektorit civil në iniciativa të rëndësishme zhvillimore”, tha Risteska, e cila shtoi se grupet e synuara me të cilat më së shpeshti punojnë organizatat që marrin grante i përfshijnë personat e margjinalizuar, si të rinjtë dhe gratë viktima të dhunës, personat me aftësi të kufizuara, përdoruesit e drogës dhe punonjësit seksuale.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Metodija Dimovski, u pajtua se sektori civil dhe promovimi i vetëdijes qytetare janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për zhvillimin e përgjithshëm të vlerave në rajon.

“Për fat të keq vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me sfida në shumë fusha – sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, krimi i organizuar, liria e mediave, por edhe zhvillimi ekonomik, mbrojtja e mjedisit jetësor, kohezioni social. Dhe temat e konferencës së sotme janë disa nga rreziqet që paraqesin sfidë për vendin tonë. Kontributi juaj si shoqëri civile është i rëndësishëm në sigurimin e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe përmirësimin e qeverisjes demokratike përmes promovimit të transparencës dhe llogaridhënies në institucionet shtetërore”, tha Dimovski.

Përndryshe, projekti SMART Ballkan, i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë me grant prej mbi 17 milionë euro, nga janari i vitit 2022 po zbatohet nga konsorciumi i organizatave: Qendra për Promovimin e Shoqërisë Civile ( QPShC) nga Sarajeva, Bosnje-Hercegovinë si partner kryesor, Qendra për Kërkim dhe Politikbërje (QKP) nga Maqedonia e Veriut dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDN) nga Shqipëria.

Disklejmeri për Smart Balkans, disclaimer