12 ligje të shëndetësisë në RMV do të sinkronizohen që të mos ketë abuzime

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka filluar procesin për ndryshimin dhe plotësimin e 12 ligjeve me të cilat pritet të krijohet kuadër më i mirë ligjor dhe mos të ketë abuzime, por sistemi shëndetësor të përmirësohet, raporton Portalb.mk

“Nuk është rastësi që u zgjodhën këto 12 ligje. Nuk mund t’ju them asgjë specifike, sepse për momentin po hapim debat për 12 ligje. Grupet e punës tashmë kanë një analizë, dhe sot do të hapen për të filluar nga poshtë lart për të analizuar se si mund të shtohen nene të reja në ligje. Këto ligje nuk janë të reja, por do të përpunohen dhe përshtaten për t’u sinkronizuar me njëri-tjetrin”, tha ministri i Shëndetësisë Azir Aliu. 

Ndryshimet përfshijnë këto ligje: ligji për evidentim në fushën e shëndetësisë, ligji për kujdesin shëndetësor, ligji për sigurim shëndetësor, ligji për barnat, ligji për pajisjet mjekësore, ligji për shëndet publik, ligji për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse, ligji për mbrojtjen nga duhani, ligji për fekondim të asistuar biomjekësor, ligji për mjekësi komplementare dhe alternative, ligji për marrje dhe transmetimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime mjekësore, si dhe ligji për inspektoratin sanitar.