1,140 qytetarë serbë të Kosovës konvertuan targat ilegale në RKS

Nga 28 tetori kur Qeveria e Kosovës mori vendimin për zgjatjen e afatit për regjistrimin e automjeteve nga targat ilegale serbe në ato të Republikës së Kosovës, 1,140 qytetarë serbë të Kosovës i kanë regjistruar veturat e tyre në targa RKS, raporton Kallxo.

Komuna e Mitrovicës së Veriut ka pasur numrin më të madh të konvertimit të targave sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Ministria u ka bërë thirrje që të gjithë qytetarëve që posedojnë automjete me targa ilegale t’i regjistrojnë ato deri më 1 dhjetor të këtij viti.

Më 28 tetor, Qeveria ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka marrë vendim për të zgjatur afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” deri me 1 dhjetor 2023.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla kishte thënë që regjistrimi i tillë po ndodhe “pasiqë që sot në veri nuk janë më të plotfuqishëm kriminelët si Milan Radojçiq, Llune, Mami, Rusi e të ngjajshëm”.

Çështja e targave ka bërë që gjatë fundit të vitit të kaluar dhe deri në mes të këtij viti të shënohen disa raste të djegieve të veturave në Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Në komunat në veri të Kosovës janë në përdorim targat me regjistrimin KM (Kosovska Mitrovica).

Gjatë vitit 2022, kjo çështje ngriti tensionet në veri, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për fillimin e procesit të riregjistrimit në targa RKS. Për shkak të targave, në fillim të nëntorit të vitit të kaluar serbët u larguan nga institucionet e Kosovës.

Më 23 nëntor 2022, pas tensioneve në veri Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.Kosova më pas pranoi të pezullonte procesin e riregjistrimit, ndërsa Serbia mori përsipër të mos lëshonte targa të reja KM.