100 vjet të Trepçës, instalacioni që nderon të kaluarën dhe frymëzon të ardhmen
Në “Reporting House”, para disa ditëve është hapur një instalacion i veçantë, i realizuar me 500 kristale origjinale të bartura nga Miniera e Trepçës. Instalacioni i titulluar “100”, shënon edhe 100-vjetorin e mineraleve të Trepçës. “Reporting House” ka njoftuar se mineralet që janë të prezantuara përmes instalacionit “100”, i kuruar nga Gazmend Ejupi, janë nga Miniera e Stantërgut-miniera më e vjetër e Kompleksit gjigand të “Trepçës”-pak kilometra nga qyteti i Mitrovicës dhe 45 kilometra në veri të Prishtinës, shkruan Portalb.mk.
Këto minerale janë nxjerrë nga 750 metra thellësi nëntokësore, nga minatorë të cilët ende punojnë në kushte të vështira, në temperatura deri në 50 gradë celsius, në lagështi, papastërti, pluhur dhe pa pajisje mbrojtëse.
“E, megjithatë, xehet e plumbit dhe zinkut nga këta gurë të nxjerrë në mënyrë primitive dhe me metoda të vështira përfundojnë në xhepin tonë, në teknologjitë moderne, siç janë: telefonat mobil që i përdorim. Plumbi dhe zinku i Trepçës përdoren edhe në bateritë e veturave. Këto kristale, të papërpunuara dhe ndriçuese, e shumë mbresëlënëse, janë më shumë se një mrekulli gjeologjike. Ato janë kalendar i historisë, dëshmitare të pafolura të mundit, rrjedha e moçme kohore e të cilave tashmë është ndërthurur me dekadat e fundit të rezistencës dhe çlirimit tonë”, thuhet në njoftim.
Minierën e Stantërgut, njëra nga më të vjetrat në kuadër të Kompleksit industrial “Trepça”, sipas njoftimit të “Reporting House”, e ka zhvilluar një ndërmarrje britanike minierash në vitet e 1920-ta, pak vite pas pushtimit të Kosovës nga Serbia, mirëpo thuhet më tej në njoftim, gjatë Luftës së Dytë Botërore kontrollin e Trepçës e mori Gjermania Naziste, e cila e mbajti kontrollin e minierës deri në 1944, kur erdhën në pushtet partizanët jugosllavë me të cilët filloi një epokë e re e mihjeve, që kishte për qëllim të nxjerrë sasi të mëdha xehesh me investime minimale.