Zyrtarët amerikanë, Microsoft: Hakerë kinezë janë futur në emailet e qeverisë amerikane

Në muajin maj hakerë të lidhur me shtetin kinez kanë hyrë në llogaritë e postës elektronike të rreth 25 organizatave, përfshirë ato të qeverisë amerikane, në një fushatë të fshehtë spiunazhi kibernetik, njoftoi të mërkurën kompania Microsoft si dhe zyrtarë amerikanë, shkruan Zëri i Amerikës.

Shtetet e Bashkuara i zbuluan “mjaft shpejt” ndërhyrjet në llogaritë e qeverisë federale dhe arritën të parandalojnë ndërhyrje të mëtejshme, tha këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë së Bardhë, Jake Sullivan në një intervistë për rrjetin televiziv amerikan ABC.

Departamenti amerikan i Shtetit ishte një prej agjencive qeveritare të prekura, sipas një personi në dijeni të hetimeve, që foli në kushte anonimiteti.

Microsoft e identifikoi grupin e hakerëve si Storm-0558.

“Microsoft ka kontaktuar të gjitha organizatat që ishin në shënjestër të sulmit apo ato që u komprometuan drejtpërdrejt dhe u ka ofruar atyre informacione të rëndësishme për t’i ndihmuar që të hetojnë çështjen dhe të përgjigjen”, thuhej në një deklaratë të kompanisë.

Microsoft nuk tha se cilat organizata apo qeveri ishin prekur, por shtoi se grupi i hakerëve kishte patur në shënjestër entitete në Evropën Perëndimore.

Ambasada kineze në Londër e quajti akuzën “dezinformim” dhe qeverinë e SHBA-ve “perandorinë më të madhe e hakerëve në botë e hajdut kibernetik global”, sikurse u shprehën zyrtarë të saj. Kina mohon vazhdimisht përfshirjen në operacione hakerimi, pavarësisht nga provat në dispozicion.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë Adam Hodge, tha se një ndërhyrje në sistemin e sigurisë ‘cloud’ të Microsoft kishte “prekur sistemet e paklasifikuara”, por nuk dha detaje të tjera.

Departamenti i Shtetit njoftoi se kishte ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të siguruar sistemet tona, pas ndërhyrjes së konstatuar.

Ekspertët e sektorit privat të sigurisë kibernetike thonë se aktivitetet e hakerimit të zbuluara së fundmi, tregojnë se grupet kineze po përmirësojnë aftësitë e tyre kibernetike.