Zvarritet punësimi i 72 punonjësve të ri në Spitalin e Kumanovës, Aliu: Kërkesa mund të riaplikohet për buxhetin e vitit 2026
Vazhdon të zvarritet punësimi i 72 punonjësve të rinj në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës. I pyetur nga Portalb.mk se pse u refuzua kjo kërkesë, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se kërkesat për punësime janë bërë në bazë të sistematizimit që e kanë institucionet shëndetësore, por nuk kishte informacione se pse kërkesa ishte refuzuar. Ai theksoi se spitali mund të riaplikojë dhe procedura mund të rifillojë për buxhetin e vitit 2026. Ndërkohë, mungesa e stafit vështirëson punën në spital dhe shërbimet për pacientët.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu u arsyetua për mosrealizimin e këtyre punësimeve dhe për masat do të ndërmarrë ministria për zgjidhjen e mungesës së stafit.
“Pra e dini që nga çdo institucion shëndetësor kemi kërkuar në bazë të sistematizimit që e kanë, nevojat e kapaciteteve njerëzore kështu që neve jemi të vetëdijshëm që edhe rasti në Kumanovë ky kapacitet në cilin e kërkon është në përputhje me sistematizimin e tyre, pse është refuzuar realisht nuk mund ta them, nuk kam ndonjë informatë megjithatë mund të them se mund të ri aplikohet pra kështu i kemi komunikuar edhe spitalet tjera kur e kanë pasur rastin e njëjtë ose të ngjashëm që të mund të riaplikohet, dhe pastaj procedura të filloj për buxhetin 2026”, tha Aliu.
Më 30 nëntor, nga Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës njoftoi se kërkesa për punësime të reja është refuzuar nga Ministria e Financave. Ndërkaq, nga Ministria e Financave nuk treguan se pse konkretisht e kanë refuzuar kërkesën për punësime në këtë sipital.
Kujtojmë se më 13 korrik nga Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës për Portalb.mk bënë të ditur se kishin dorëzuar kërkesë për miratimin e 72 punësimeve të reja për personelin e nevojshëm, megjithatë procesi i kësaj kërkese ka ngecur.
Ndryshe, në vitin 2024, sistemi i kujdesit shëndetësor primar në Maqedoninë e Veriut shënoi ulje të ndjeshme si në numrin e kontratave të lidhura ashtu edhe në numrin e mjekëve të përgjithshëm.
Sipas të dhënave të publikuara në Fondit për Sigurim Shëndetësor, numri i përgjithshëm i kontratave të lidhura në kujdesin shëndetësor primar ishte 2.077, që përfaqëson një ulje prej 55 kontratash krahasuar me vitin 2023. Gjithashtu, numri total i mjekëve në këtë sektor në vitin 2024 ishte 2.796, që është 45 më pak se një vit më parë. Vetëm në kategorinë e mjekëve të përgjithshëm, këtë vit janë regjistruar 1.499 mjekë aktivë, 8 më pak se në vitin 2023.
- LEXO: Sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut vazhdon të zbrazet: 45 mjekë më pak gjatë vitit 2024 krahasuar me vitin 2023
- LEXO: Aliu: S’ka më punësime dhe specializime sipas dëshirës, do të dihet saktësisht se ku dhe sa punonjës shëndetësor nevojiten
- LEXO: Spitali i Kumanovës në krizë stafi: Kërkohen 72 punonjës të rinj, procedura filloi rrugën në labirintet institucionale
- LEXO: Pritje të gjata dhe kaos në Laboratorinë e Kumanovës, “infermierët punojnë edhe në sportel edhe në dhomat e dhënies së gjakut”