Kufizim të çmimeve të produkteve bazë dhe rritje të pagës minimale për 3.500 denarë, kërkuan nga BDI
Të vendosen çmime maksimale për produktet ushqimore bazë ose të kufizohen marzhet tregtare dhe të ulet TVSH-ja për produktet bazë për një periudhë prej tre muajsh. Këto janë disa nga masat që Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë po i propozon qeverisë për të parandaluar abuzimet dhe për të ulur çmimet në kohë krize, veçanërisht për shkak të festave të Bajramit dhe Pashkëve që po vijnë, transmeton Portalb.mk.
“Standardi i familjeve në vend është duke u goditur çdo ditë nga rritja e çmimeve dhe nga mungesa e reagimit institucional. Në vend që të ndërmerren masa për të mbrojtur qytetarët, Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë, e udhëhequr nga përfaqësues të VLEN-it, po tregojnë mungesë të plotë interesi dhe kapaciteti për të përballuar këtë situatë. BDI paraqiti një propozim të qartë për rritjen e pagës minimale dhe rritjen lineare të pagave, si mënyra më e drejtë për të mbrojtur standardin e qytetarëve. Ky propozim nuk u pranua. Si rezultat, mijëra familje sot përballen me çmime gjithnjë e më të larta, ndërsa të ardhurat e tyre mbeten të njëjta”, thonë nga BDI.
Ata kërkojnë gjithashtu rishikim të të dhënave doganore për importin e frutave dhe perimeve, si dhe rritje të kontrolleve nga inspektoratet kompetente në treg me qëllim parandalimin e spekulimeve dhe abuzimit me çmimet. Ata gjithashtu i bëjnë apel Komisionit Rregullator të Energjetikës që të rishikojë çmimet e derivateve të naftës të paktën dy herë në javë, duke marrë parasysh se tashmë ka pasur rënie të çmimeve në bursat ndërkombëtare.
Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon gjithashtu rritje të pagës minimale nga marsi me të paktën 3.500 denarë, në vend të 1.600 denarëve të planifikuara.
“Çdo vonesë në reflektimin e këtyre ndryshimeve në tregun vendor është barrë shtesë për qytetarët dhe bizneset. Qytetarët kanë nevojë për veprime konkrete, jo për heshtje institucionale. Qeveria duhet të veprojë menjëherë për të mbrojtur standardin jetësor të familjeve”, thonë nga BDI.
Ndryshe, Komisioni Rregullator për Energjetikë i Republikës së Maqedonisë së Veriut (KRRE) miratoi vendim me të cilin u rritën çmimet me pakicë të derivateve të naftës me mesatare prej 14.27% krahasuar me vendimin e datës 2.3.2026. Kriza energjetike është përhapur kudo në botë, përshkak të luftës së Izraelit dhe SHBA-së që zhvillojnë në lindjen e mesme.