Zjarri në “Drislla” po shuhet me shkumë speciale, Ministria e Mjedisit ka inspektuar terrenin

Në deponinë e Drislës ende ka shumë tym, por sot era është e favorshme dhe fryn në drejtim të kundërt nga Shkupi, dhe për këtë arsye ky tym nuk ndihet në qytet, thotë drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov. Ai shton se dje dhe sot dy ekskavatorë, një buldozer dhe dy kamionë të mëdhenj po punojnë për mbushjen e pjesës së deponisë së Drisllës ku ka shumë tym. Ajo tokë, thotë Angellov, po derdhet në majë të deponisë dhe po shtyhet me buldozerë deri në vendin ku digjet, transmeton Portalb.mk.

Ai njoftoi se sot në terren u vendos një “airtraktor”, i cili do të përdorë shkumë speciale për të lehtësuar situatën.

“Krahasuar me dje, tymi është dukshëm më i ulët sot dhe besoj se deri në mbrëmje do të reduktohet plotësisht, dhe ndoshta edhe do të ndalet,” tha Angellov.

Ndërkohë, Ministria e Mjedisit njoftoi se në orët e vona të pasdites, rreth orës 15:15, Inspektorati Shtetëror për Mjedisin zhvilloi inspektim të jashtëzakonshëm për shkak të zjarrit që shpërtheu në deponinë e mëparshme të mbeturinave komunale “Drislla”, pas një njoftimi nga Stacioni Policor Gazi Baba.

“Në vendngjarje po punohet për shuarjen e pjesës së djegur me mekanizëm dhe mjete të vetë N.P. “Drislla”, si dhe me disa automjete zjarrfikëse dhe automjete të N.P. “Ujësjellës dhe Kanalizim” – Shkup. Inspektimi u krye nga inspektorë të autorizuar nga SPB Shkup, ndërsa të pranishëm ishin edhe drejtori i N.P. “Drislla”, personi përgjegjës për mjedisin dhe punonjës të tjerë të institucionit publik. Në përputhje me lejen A-ISKZ që posedon N.P. “Drislla”, është përgatitur një raport i dërguar me e-mail te Ministria e Mjedisit dhe nga Inspektorati shtetëror i mjedisit lidhur me ngjarjen. Nga inspektimi është përgatitur një procesverbal i konstatimit, dhe do të merren edhe mostra nga uji nëntokësor dhe toka nga një laborator i akredituar për mjedisin. N.P. “Drislla” ka dorëzuar gjithashtu raportin nga stacioni i monitorimit të cilësisë së ajrit. Procedura inspektuese është në vazhdim dhe po ndiqen të gjitha masat për vlerësimin e ndikimit dhe eliminimin e pasojave nga zjarri”, thonë nga Ministria.

Ndryshe, më 2 shtator Ministria e Bujqësisë e zgjati deri më 30 shtator ndalimin e lëvizjes në pyjet dhe tokën pyjore të Maqedonisë së Veriut. Ministria përkujtoi se qytetarët që do të kapen duke lëvizur në këto hapësira do të dënohen nga 1 500 deri 2000 euro, në bazë të nenit 106 nga Ligji për Pyjet.

Në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).