Zheljazkov: Presim mbështetje nga APKE për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit bullgar në RMV

Kryeministri bullgar, Rosen Zheljazkov, ka kërkuar mbështetje nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut. Siç njoftoi qeveria bullgare, Zheljazkov e ka theksuar këtë në takimin me kryetarin e APKE-së, Teodoros Rusopulos, transmeton Portalb.mk.

Edhe pse në takim Zheljazkov dhe Rusopulos kanë diskutuar tema të ndryshme aktuale, çështja e komunitetit bullgar në vend dhe thirrja e kryeministrit bullgar janë theksuar në titullin e njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të qeverisë në Sofje.

“Kryeministri Rosen Zheljazkov gjithashtu theksoi rolin thelbësor të APKE-së në fushën e ligjit, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit demokratik. Kryeministri theksoi rolin e rëndësishëm që Këshilli i Evropës duhet të luajë në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit bullgar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Zheljazkov shprehu bindjen se nuk do të lejohet që një forum i lartë si APKE të përdoret për një fushatë antibullgare”, thuhet në njoftim.

Takimi i Zheljazkov me kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës vjen në një kohë kur në vend pritet përgjigjja nga Sofja nëse do ta pranojë iniciativën për një takim midis përfaqësuesve të dy vendeve në margjinat e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Hagë.

Në Samitin e NATO-s, Maqedoninë do ta përfaqësojë kryetarja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, ndërsa në krye të delegacionit bullgar do të jetë kryeministri i vendit, Rosen Zheljazkov.

Kryetarja Siljanovska-Davkova, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve më 13 qershor deklaroi se, edhe pse është rregull që të ketë një takim me homologun e saj bullgar (presidenti Rumen Radev), nuk ka problem të bisedojë edhe me kryeministrin bullgar Rosen Zheljazkov, meqë është konfirmuar se homologu i saj bullgar, presidenti Rumen Radev, nuk do të marrë pjesë në Hagë.

Aktivitetet e Zheljazkov vijnë edhe para shqyrtimit dhe votimit të raportit mbi progresin e vendit në Parlamentin Evropian, që fillimisht duhej të ndodhte më 4 qershor, por u shty për më 24 qershor.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.