Zgjerimi i BE-së drejt lindjes, zvarritet kërkesa e Turqisë për anëtarësim

Turqia synon arritjen e kompromiseve të rëndësishme gjatë një takimi të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel, në kuadër të përpjekjeve të saj afatgjata për t’u bërë pjesë e BE-së. Në këtë takim udhëheqësit evropianë janë të përqëndruar në Ukrainë, por siç njofton Zëri i Amerikës nga Stambolli, analistët thonë se Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka mjete të fuqishme në dorë me të cilat mund të joshë vendet anëtare të BE-së.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan po mundohet të ripërtërijë përpjekjet disa dekadëshe të Turqisë për t’u bërë pjesë e BE-së, gjatë takimit të nivelit të lartë të këtyre ditëve në Bruksel.

Analistët thonë se liberalizimi i vizave dhe më e rëndësishmja, një marrëveshje e re tregtare, janë në krye të agjendës së zotit Erdogan.

“Mendoj se përparësi është modernizimi i bashkimit doganor, sidomos tani kur ekononia e Turqisë është përkeqësuar. Nisja e negociatave do të rriste besimin e investitorëve. Do të rriste besueshmërinë e Turqisë në tregjet ndërkombëtare”, thotë Berkay Mandiraci nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Para takimit të nivelit të lartë, kryediplomati i BE-së, Josep Borrell shprehu mbështetje për thirrjet e Akarasë për një politikë më të hapur të vizave dhe një bashkim të ri doganor. Por ekspertët paralajmërojnë se sfidat mbesin ndërsa udhëheqësit e BE-së janë të përqëndruar tek aspiratat për anëtarësim të Ukrainës dhe zgjerimin drejt lindjes.

“Janë dy pengesa të mëdha. Njëra është përqëndrimi i politikës evropiane tek Ukraina dhe tjetra është fakti se shumica e vendeve, në veçanti Gjermania, kanë problemet e tyre të brendshme në këtë kohë”, thotë Sinan Ulgen nga Qendra e Studimeve Ekonomike dhe Politikave të Jashtme.

Në Evropë, partitë e ekstremit të djahtë që kundërshtojnë lidhje më të ngushta me Turqinë, janë në rritje, ndërsa zgjedhjet parlamentare evropiane mbahen vitin e ardhshëm.

Çështja e shkeljes së të drejtave të njeriut në Turqi, një nga arsyet pse kërkesa e Turqisë për anëtarësim për vite me radhë nuk ka shënuar përparim, është një tjetër problem.

Çdo marrëveshje e re tregtare dhe ndryshim në politikat e vizave për qytetarët turq do të kërkonte që Turqia të ndryshonte qëndrimin sa u përket të drejtave të njeriut.

Por zoti Erdogan ka në duar mjete të rëndësishme me të cilat mund të joshë udhëheqësit evropianë. Ankaraja ende nuk e ka ratifikuar kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO dhe Turqia, sipas një marrëveshjeje me BE-në, është porta e emigrantëve që kërkojnë të hyjnë në Evropë.

“Kemi nevojë për njëri-tjetrin, sepse sa herë që acarohen marrëdhëniet Turqi-BE, Ankaraja sjell një çështje gjeografike, ose të sigurisë ndërkombëtare dhe i tregon Bashkimit Evropian se sa shumë i nevojitet Turqia, duke pasur parasysh pozitën gjeografike, fuqinë e saj ushtarake dhe qëndrimet ndaj fqinjëve të saj”, thotë Zeynep Alemdar nga Universiteti Okan.

Me Presidentin Erdogan të fuqizuar pas rizgjedhjes së tij në maj, analistët parashikojnë se udhëheqësit evropianë do të përpiqen të gjejnë një mënyrë për të përmbushur kërkesat afatshurtra të udhëheqësit turk për tregtinë dhe vizat dhe të zvarrisin objektivat e tij afatgjata si kërkesa për t’u anëtarësuar në BE.