Fronti Evropian zbuloi marrëveshjen e partive shqiptare: Do bashkëqeverisim vetëm partitë që pranojnë të mbështesin ndryshimet kushtetuese

Partnerët e koalicionit Fronti Evropian i cili doli forca e dytë politike në bazë të deputetëve në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut, sot u takuan në Shkup për të diskutuar në lidhje me të ardhmen e vendit dhe formimin e Qeverisë, shkruan Portalb.mk.

Liderët e partive përbërëse të Frontit Evropian theksuan se populli ju ka dhënë atyre legjitimitet për të udhëhequr.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti duke folur për qeverinë e ardhshme tha se “Loja s’ka filluar akoma”.

Ata zbuluan edhe një deklaratë të përbashkët politike të datës 07.12.2023, që siç thanë është e nënshkruar nga kryetarët e Aleancës për Shqiptarët, Alternativës, BDI-së, Lëvizjes Besa dhe Lëvizjes Demokratike. Kjo është deklarata të cilën e shpalosi Ahmeti:

“Fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian (BE) sjell përfitime strategjike dhe domethënëse për vendin tonë.

Duke marrë parasysh krizën e vazhdueshme politike në Maqedoninë e Veriut, ne, palët e nënshkruara bashkohemi me një zë të unifikuar për të adresuar nevojën urgjente për zgjidhje dhe stabilitet në vend.

Kriza aktuale, e lidhur ngushtë me ndryshimet e propozuara kushtetuese, kërkon vëmendje të menjëhershme dhe përpjekje bashkëpunuese për të mbrojtur parimet demokratike dhe mirëqenien e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Ndryshimet e propozuara kushtetuese kanë krijuar një situatë që kërkon shqyrtim të kujdesshëm, dialog të hapur dhe një angazhim të përbashkët për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Është në këtë frymë uniteti dhe përgjegjësie kolektive që ne paraqesim këtë deklaratë të përbashkët politike, duke njohur urgjencën dhe peshën e sfidave me të cilat përballet Maqedonia e Veriut.

Për këto qëllime ne si parti politike deklarojmë si më poshtë:

Ne, partitë politike të nënshkruara më poshtë, duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodhet vendi dhe detyrën që kemi ndaj qytetarëve, ndjejmë detyrimin të deklarojmë se jemi plotësisht të vendosur që, tani dhe në të ardhmen, të bashkëpunojmë dhe të bashkëqeverisim vetëm me ato parti politike që pranojnë të mbështesin ndryshimet kushtetuese si kusht për të vazhduar procesin e integrimit të vendit në BE.

Sot, kryetari i VMRO-DPMNE-së i shoqëruar nga zyrtarë tjerë të partisë është pritur në një nga selitë e koalicionit VLEN, nga Arben Taravari, Bilall Kasami, Izet Mexhiti dhe Afrim Gashi. Takimi u realizua në kuadër të bisedimeve për formimin e qeverisë së re.

Koalicioni për qeveri të mundshme midis VMRO-DPMNE dhe VLEN tani më është paralajmëruar nga të dyja palët.

Kujtojmë që dje mbajti mbledhje kryesia qendrore e BDI-së, nga ku Arbër Ademi tha se Fronti Evropian ka legjitimitetin për të qenë në qeveri, si dhe porositi që mos të përsëritet situata e vitit 2006.

Në vitin 2006 Partia Demokratike Shqiptare edhe pse nuk ishte forca e parë politike në kampin shqiptar, u fut në Qeveri me VMRO-DPMNE, pas së cilës pati Qeveri jostabile dhe u krijua krizë politike. Ndërkaq në vitin 2008 Bashkimi Demokratik për Integrim hyri përsëri në Qeveri.

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024. Sipas rezultateve përfundimtare, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe Znam 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve.