Skender Rexhepi-Zejd do të jetë kandidat për kryetar të Shkupit nga radhët e “Besëlidhjes Aleanca Kombëtare për Integrim”

Kryetar i partisë politike “Lëvizja Populli” Skender Rexhepi – Zejd do të jetë kandidat për kryetar të Qytetit të Shkupit nga radhët e “Besëlidhjes Aleanca Kombëtare për Integrim”. Këtë e njoftoi kreu i BDI-së Ali Ahmeti, i cili tha se kjo erdhi me unitet të plotë dhe me vendim të përbashkët pas konsultave me liderët e partive politike që përbëjnë këtë koalicion, transmeton Portalb.mk.

“Kandidatura e tij përfaqëson jo vetëm unitetin e forcave progresive të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por edhe një alternativë të qartë për Shkupin, një qytet që meriton zhvillim të barabartë, qeverisje transparente dhe gjithëpërfshirëse. Besëlidhja Aleanca Kombëtare për Integrim është e bindur se me z. Skender Rexhepi – Zejd, Shkupi do të ketë një kryetar që njeh realitetin, dëgjon qytetarin dhe punon për të gjithë, pa dallim”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Ndryshe, në zgjedhjet e ardhshme lokale, BDI-ja në disa komuna do të garojë me kandidatët e vet, ndërsa në disa komuna tjera do të mbështesë kandidatët e koalicionit të opozitës shqiptare.

Fatmir Dehari do të jetë kandidat për në Komunën e Kërçovës, Erkan Arifi në Komunën e Likovës, Suat Shaqiri në Çashkë dhe Ejup Abazi në Studeniçan. Në Bërvenicë do të mbështesin kandidatin e pavarur, Enver Pajazitin.

Bartës liste në Komunën e Dibrës do të jetë Artin Spahiu, në Saraj do të jetë Iljaz Veseli, në Vrapçisht do të jetë Evzal Arsllani.

Në njoftimin për media, Arbër Ademi, sqaroi që në vazhdim do të vendosin për Qytetin e Shkupit, Bogovinës, Dollnenit, Pllasnicës dhe për bartësin e listës në Tearcë dhe Haraçinë.

BDI-ja në Gostivar, Vrapçisht, Tearcë dhe Saraj do të mbështet kandidatët e propozuar nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, ndërsa në Strugë, Dibër dhe Haraçinë do të mbështet kandidatët e propozuar nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës.

Zgjedhjet e ardhshme lokale në Maqedoninë e Veriut priten të mbahen në tetor të këtij viti. Të qarta janë datat, por jo edhe rregullat sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor për të cilat partitë politike janë bërë lëmsh sepse duhet të votohen me shumicë Badinteri. Propozim-ligjin e parë ua rrëzoi Gjykata Kushtetuese.  Aktualisht ndryshimet e Kodit Zgjedhor ndodhen në lexim të dytë në Kuvendin e RMV-së.