VLEN i zyrtarizoi kandidaturat, ministrat Mexhiti dhe Limani do të kandidojnë për kryetarë komunash
Koalicioni VLEN sonte ka zyrtarizuar emrat e kandidatëve për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale, transmeton Portalb.mk.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti do të jetë kandidat për Çairin, kurse ministri Fatmir Limani për Kërçovën.
“Kryesia e VLEN-it konstatoi se synimi parësor i këtij subjekti mbetet që të propozohen kandidatët më të pranuar për qytetarët, kryetarë komunash që do të jenë shërbim të interesave të tyre lokale”, informuan nga VLEN.
Këto do të jenë kandidatët e VLENI-it për kryetarë komunash:
- Bilall Kasami – Tetovë.
- Izet Mexhiti – Çair.
- Kërçovë – Fatmir Limani.
- Qyteti i Shkupit – Bashkim Bakiu.
- Dibër – Fisnik Mela.
- Saraj – Muhamed Elmazi.
- Likovë – Nexhmedin Sadiku.
- Haraçinë -Daut Beqiri.
- Zhelinë – Blerim Sejdiu.
- Tearcë – Daut Memishi.
- Bogovinë – Feti Abazi.
- Bërvenicë – Haqim Ramadani.
- Dollnen – Blerim Islami.
Në Strugë VLEN-i e mbështet kandidatin e pavarur Mendi Qyra, ndërsa ende nuk ka vendim për kandidatët për Komunën e Gostivarit, Vrapçishtit, Studeniçanit dhe Çashkës.
Në ndërkohë edhe Fronti Evropian i ka zyrtarizuar disa nga kandidaturat për kryetarë komunash.
Nga BDI-ja: Bajram Rexhepi për Tetovën, Bujar Osmani për Çairin dhe Emir Sulejmani për Zhelinën.
Nga ASh-ja e Arben Taravarit: Valbon Limani për Gostivarin, Blerant Ramadani për Sarajin, Isen Shabani për Vrapçishtin dhe Nazim Taipi për Tearcën.
Nga ASh-ja e Ziadin Selës: Arsim Dalipi për Strugën, Ilirjan Fetahu për Dibrën dhe Skender Jusufi për Haraçinën.
Zgjedhjet lokale pritet të shpallen në gjysmën e parë të gushtit, ndërsa pritet të mbahen në tetor.
Të qarta janë datat, por jo edhe rregullat sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor për të cilat partitë politike janë bërë lëmsh sepse duhet të votohen me shumicë Badinteri. Propozim-ligjin e parë ua rrëzoi Gjykata Kushtetuese. Aktualisht ndryshimet e Kodit Zgjedhor ndodhen në lexim të dytë në Kuvendin e RMV-së.