ASh-ja e Ziadin Selës do të garojë në tri komuna: Strugë, Dibër dhe Haraçinë 

Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës ka vendosur që në zgjedhjet e ardhshme lokale të garojë në tre komuna, transmeton Portalb.mk

Pas mbledhjes së partisë u njoftuan komunat ku do të garojnë si dhe kandidatët, edhe atë: 

  • Strugë – Arsim Dalipi,
  • Dibër – Ilirjan Fetahu,
  • Haraçinë – Skender Jusufi.

Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës do të garojë në koalicion me Frontin Evropian, ku udhëheqës është BDI-ja, në këtë koalicion për zgjedhjet lokale është bashkuar edhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit.

Ziadin Sela tha se listat e këshilltarëve ende nuk janë kompletuar në kuadër të koalicionit.

“Koalicioni ka krijuar një grup punues, në të cilin ne kemi dy përfaqësues, kështu është marrëveshja që të ketë nga dy përfaqësues… ende nuk është përmbyllur ky segment se ku ne do të garojmë me bartës liste”, tha Ziadin Sela.

Për detajet tjera Fronti do të del me njoftim periudhën në vijim.

Nga ky koalicion tani më kanë bërë të ditur disa nga kandidaturat e përbashkëta, ata do të kenë edhe lista të përbashkëta për këshilltarët. 

Nga BDI-ja: Bajram Rexhepi për Tetovën, Bujar Osmani për Çairin dhe Emir Sulejmani për Zhelinën. 

Nga ASh-ja e Arben Taravarit: Valbon Limani për Gostivarin, Blerant Ramadani për Sarajin, Isen Shabani për Vrapçishtin dhe Nazim Taipi për Tearcën.

Zgjedhjet lokale pritet të shpallen në gjysmën e parë të gushtit, ndërsa pritet të mbahen në tetor.

Të qarta janë datat, por jo edhe rregullat sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor për të cilat partitë politike janë bërë lëmsh sepse duhet të votohen me shumicë Badinteri. Propozim-ligjin e parë ua rrëzoi Gjykata Kushtetuese. Aktualisht ndryshimet e Kodit Zgjedhor ndodhen në lexim të dytë në Kuvendin e RMV-së.