Zgjedhjet e reja do të nënkuptojnë vetëm shpenzim të parave nga xhepat e qytetarëve, tha kryetarja e LDP-së Zajkova
Kryetarja e Partisë Liberal-Demokrate (LDP) dhe deputetja në Kuvend, Monika Zajkova, mbrëmë në një intervistë për TV Sitel tha se është jo falënderuese të flitet për zgjedhje kur shumica qeverisëse në Kuvend ka pothuajse dy të tretat e votave, me të cilat mund të zbatojë zgjidhje dhe të marrë vendime, transmeton Portalb.mk.
“Dua vetëm t’u dërgoj një mesazh qytetarëve se nëse paga nuk u mjafton deri në fund të muajit, nëse pensionet nuk u mjaftojnë deri në fund të muajit, nëse bankat ende i ‘përvëlojnë’ me provizione, ta dinë se zgjedhjet e reja nënkuptojnë sërish shpenzim parash nga xhepi i tyre dhe sërish nënkuptojnë më pak para në shtet, ndërsa do t’i organizojë ndonjë drejtor që ka pasur mundësi të zbatojë zgjidhje dhe të marrë vendime, por kërkon përsëri mbështetje për zgjedhje të reja vetëm pas dy vitesh, sepse deri tani i ka shpenzuar vitet duke shpjeguar se dikush tjetër më parë ka qenë fajtor për diçka”, tha Zajkova.
Ajo tha se njerëzve u është mbushur kupa me zgjedhjet.
“Absolutisht, edhe në të kaluarën, nëse i ndiqni qëndrimet e mia, ato kanë qenë konsistente. Njerëzve vërtet u është mbushur kupa me zgjedhje, sepse ne shohim se nga një cikël zgjedhor në tjetrin asgjë nuk ndryshon, shteti varfërohet, institucionet bëhen jofunksionale dhe mendoj se duhet të marrë fund ajo kohë që e kujtojmë, koha e Gruevskit, kur shkohej në zgjedhje të reja çdo dy vjet, ndërsa në të njëjtën kohë absolutisht asgjë nuk ndryshonte në shtet, sepse zgjedhjet nënkuptojnë shpenzim të burimeve shtetërore”, vlerëson Zajkova.
Sipas kryetares së LDP-së, shteti duhet të vendosë një praktikë sipas së cilës, kur jepet një mandat katërvjeçar, ai mandat duhet të shfrytëzohet i plotë dhe për punë në interes të qytetarëve.
“Unë, por edhe LDP-ja, jemi këtu për të punuar në interes të qytetarëve, ndërsa për momentin gjendja kërkon që të punohet për të siguruar më shumë para në xhepin e tyre, sepse shohim se nga dita në ditë kemi gjithnjë e më pak para për të blerë produktet bazë në market. Zgjedhjet organizohen mbi kurrizin e qytetarëve. Po të ishte e brishtë shumica e partisë në pushtet, hajde disi. Por me një shumicë pothuajse dy të tretat, ku keni komoditet për të marrë vendime? Nuk mendoj se duhet t’i ekspozojmë qytetarët ndaj shpenzimeve shtesë, prandaj edhe e dërgova atë mesazh. Kjo do të nënkuptojë më pak para në buxhetin e shtetit, sepse do të shpenzohen për zgjedhje dhe nuk do të ketë para që të rriten pagat dhe pensionet”, vlerëson ajo.
Përndryshe, kohët e fundit po flitet gjithnjë e më shumë publikisht për mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa si afat i mundshëm përmendet pranvera e ardhshme.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski ditë më parë riktheu sërish idenë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pa dhënë një datë konkrete se kur mund të mbahen ato. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se “së shpejti do të ketë zgjedhje”, por njëkohësisht theksoi se opsioni i preferuar i qeverisë mbeten zgjedhjet e rregullta në vitin 2028. I pyetur të specifikonte nëse nënkuptonte zgjedhje të parakohshme parlamentare në vitin 2027 apo të rregullta në vitin 2028, ai përsëri nuk dha përgjigje specifike, duke thënë se VMRO-DPMNE është gati për zgjedhje sa herë që opozita i kërkon ato.
Mickoski, disa herë e ka përsëritur idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Edhe në maj të këtij viti, ai tha se së shpejti do të ketë zgjedhje, për të shtuar një ditë më pas se dëshiron që zgjedhjet parlamentare të mbahen në vitin 2028, por theksoi se partia në pushtet VMRO-DPMNE është e përgatitur të fitojë edhe në zgjedhjet e vitit 2027. Mickoski tha se disa parti u frikësuan nga deklarata e tij se “së shpejti do të ketë zgjedhje”.