Zelensky: Ftesa për NATO do të ishte ideale
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e cilësoi si “hap të rëndësishëm” thjeshtëzimin e procesit të anëtarësimit të Ukrainës në NATO, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Ftesa për anëtarësim “do të ishte ideale”, tha ai, por shtoi se, së paku, mund të shohë disa “pika specifike” që e sjellin Ukrainën më pranë NATO-s.
Zelensky po merr pjesë në ditën e dytë të samitit të aleancës ushtarake, në Vilnius të Lituanisë.
Një ditë më herët, udhëheqësit e të 31 vendeve anëtare u pajtuan që Ukraina të ftohet në NATO “kur ata të bien dakord” dhe “të plotësohen kushtet”.
Ata u dakorduan edhe për thjeshtëzimin e procesit të anëtarësimit të saj, duke i hequr një plan anëtarësimi që kërkon përmbushjen e reformave të caktuara politike dhe ekonomike.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Zelensky tha se e kupton se përse disa aleatë të NATO-s “i druhen” anëtarësimit të Ukrainës në aleancë.
“… sepse, askush nuk do që të ketë një luftë botërore”, tha Zelensky, vendi i të cilit ndodhet nën pushtimin rus qysh në shkurt të vitit të kaluar.
Me rregulloren e saj, NATO-ja e trajton një sulm të armatosur ndaj një vendi anëtar si sulm ndaj të gjithëve – që do të thotë se aleatët janë të detyruar ta ndihmojnë njëri-tjetrin.