Zelensky falënderoi Shqipërinë për qëndrimin kundër Rusisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenksy, ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për qëndrimin ndaj agresionit rus në Ukrainë, raporton Koha.net. Zelensky, mes tjerash, ka falënderuar Ramën për mbështetjen e mbrojtjes dhe atë politike teksa ka përmendur edhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në takimin e katërt të Formulës së Paqes në Davos.

“Kam folur me kryeministrin Edi Rama për ta falënderuar për qëndrimin e vendosur të Shqipërisë ndaj agresionit rus ndaj Ukrainës dhe mbështetjen për vendin tonë, si dhe mbështetjen e mbrojtjes dhe atë politike. Përfaqësues të Shqipërisë morën pjesë në takimin e katërt të Formulës së Paqes në Davos. Detyra jonë aktuale është të përgatitemi për Samitin Global të Paqes dhe ne mbështetemi në pjesëmarrjen aktive të partnerëve tanë, përfshirë Shqipërinë”, ka shkruar Zelensky në Twitter.

Tutje, Zelensky ka thënë se gjatë bisedës me Ramën kanë diskutuar për zgjerimin e programeve të trajnimit të ushtarëve ukrainas me Shqipërinë.

“Ne diskutuam gjithashtu mënyrat për të thelluar dialogun Ukrainë-Ballkan dhe për të avancuar bashkëpunimin tonë me karakter mbrojtës. Theksova gjithashtu rëndësinë e vazhdimit dhe zgjerimit të programeve të trajnimit të ushtarëve ukrainas me pjesëmarrjen e Shqipërisë”, ka shkruar Zelensky.

Zelensky më 30 dhjetor ka ndarë dekret shtetëror për Ramën duke i dhënë vlerësimin e klasit më të lartë. Rama është vlerësuar për kontributin e rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës.