Xhesku më ka thënë: “Babai im ecte krenar kur unë u punësova mësues, ndërsa fare nuk i bënte përshtypje që unë isha skulptor”

Diskutimet mbi artin kanë ekzistuar gjithnjë edhe nënvlerësimet po ashtu, sidomos atë figurativ. Për këtë, mjafton të shihni reagimet e njerëzve kur dëgjojnë për çmimin e pikturave. Ky shkrim për lexuesit e Portalb.mk vjen si një lloj përsiatje mbi artin dhe artistin.

Artisti Xhezair Rexhepi nga Gostivari së bashku me kolegët e tij të artit hapën për të katërtën herë me radhë punëtorinë e “Terra artit”, artit të përpunimit të argjilës, artit të qeramikës. Interesimi i madh i nxënësve jo vetëm nga Gostivari ka bërë që ta mendojnë së bashku me kolegët ta zgjerojnë punëtorinë duke pranuar në vizitë edhe nxënës nga shkollat tjera të qytetit. Shumica e të rinjve që takuam duke krijuat vepra i shprehën shumë të lumtur që ishin pjesë e kësaj përvoje ndryshe. Pasi përfunduam vizitën Xhesku na ofroi të zgjidhnim diçka si suvenir. Unë zgjodha një vorbë. Këto enë dikur kanë qenë me funksion dhe nga fëmijëria kujtoj shijen e fasules së zier në të dhe papritmas para gjithë atyre artistëve më shpëtoi vetvetiu  pyetja: “mund të zihet grosha në këtë ”  (qeshëm). Xhezairi me xhentilesë me tregoi se duhej pjekur edhe një herë që të duroj temperatura shumë të larta. Gjithë kohës nuk më hiqej nga mendja pse më shpëtoi ajo pyetje.

Xhezairi tregoi me dhjetëra raste kur njerëzit fyejnë pa dashje artin e tyre. Këtu s’flas më për pyetjen time, se këto vorba tani janë kthyer në art, dikur ishin gjëra utilitare ku shërbehej ushqimi dhe njerëzit më pak kishin ankesa për aparatin tretës dhe kanceri shumë pak dëgjohej.

“Babai im ecte krenar kur unë u punësova mësues, ndërsa fare nuk i bënte përshtypje që unë isha skulptor”, tha Xhezairi.

Qeshnim me gjëra që të dhimbshme duken në lëkurën e çdo artisti. Pastaj flisnim për botëkuptimin tonë për artin, për fëmijët që hedhin bojën në letër si t’ju vijë.

– Piktorët ëndërrojnë të pikturojnë si fëmijët, pasi mësuesit ua ‘’dhunojnë’’ talentin me ndërhyrje duke i “mësuar” si të vizatojnë, duke u thënë shtoje këtë ngjyrë, hiqe këtë vijë …- vazhdonte ai. Duke treguar kujdesin që asnjë punim i vajzës mos i humbas , i ruan me shumë fanatizëm punimet e saj.

Një artist ka thënë: ‘kur isha fëmijë, lulen e vizatoja me një pikë, duke u rritur ia shtova petalet, gjethet, ngjyrat ….tani që jam plakur dhe mendoj se e kam mësuar pikturimin lulen sërish e vizatoj me një pikë.”

Një kryevepër e letërsisë “Princi i vogël’’ flet për djaloshin gjashtë vjeçar që kishte lexuar diku se gjarpërinjtë boa e kapërdijnë prenë e tyre pa e përtypur dhe pas kësaj, pasi nuk arrijnë më të lëvizin, flenë për gjashtë muaj aq sa kërkon periudha e tretjes së presë . Me këtë rast djaloshi kishte ilustruar një boa që kishte gëlltitur një elefant, por, kur provonte t’i trembte të rriturit, i thoshin: “e pse të trembem nga një kapele”. Me qëllim që të rriturit ta kuptonin ai vizatoi boan, elefantin brenda, sytë, feçkën dhe një ditë u lodh duke thënë: “të rriturit duan shumë sqarime” . E la karrierën e lavdishme si piktor si gjashtë vjeçar. Pilotimi e takoi me Princin e Vogël i cili i kërkoi të vizatonte një dele. Ai vazhdimisht gjente vërejtje duke i thënë: kjo dele është plakë, e lodhur, ka brirë, është dash…derisa ia vizatoi një kuti dhe i tha: delen e ke brenda”. Dhe Princi i Vogël i mrekulluar i tha: pikërisht këtë deshta.

Krejt këto rrëfime dhe më shumë që raste që na tregoi Xhesku e që na duhet të mos i përmendim pasi janë për persona të tretë tregojnë më së miri sa e vështirë është të zgjedhësh rrugën e artit figurativ, rrugën e piktorit që i bie për hise fati i rëndë që puna e tyre te ne, pjesërisht të vlerësohet me metre, sinkron dimensioneve të murit,  ngjyrës së tepihëve, perdeve etj.