Kurti: Vetëvendosja nuk është e regjistruar në RMV dhe nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje

Kryeministri i Kosovës, njëkohësisht lideri i Lëvizjes Vetëvendosje theksoi se kjo parti nuk është e themeluar si subjekt në Maqedoninë e Veriut dhe kështu nuk mund të merr pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen në muajin maj, transmeton Portalb.mk.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Ne kemi aktivist, kemi edhe zyrtarë të subjektit tonë politik në Kosovë, që vijnë nga Maqedonia e Veriut mirëpo këtu nuk kemi qendër të Vetëvendosjes formalisht të regjistruar. Andaj edhe ne si Lëvizje Vetëvendosje, nuk është se marrim pjesë këtu. Unë dëshiroj të ketë pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhje sepse kjo i kontribon demokracisë”, tha Kurti.

Kurti këtë deklaratë e bëri sot për gazetarët pas takimit të sotëm në Shkup të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor të miratuar nga Komisioni Evropian.

Lidhja Evropiane për Ndryshim e përbërë nga Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike më 24 dhjetor 2023 gjatë hapjes së zyrës së këtij koalicioni paralajmëroi se këtij fronti i është bashkëngjitur edhe Lëvizja Vetëvendosje. Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike aso kohe tha se së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje do të sjellin ndryshimin në RMV.

Megjithatë, Izet Mexhiti në një prononcim për “360 Gradë” ka sqaruar se përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje që do të jenë në listat e përbashkëta të kandidatëve për deputetë, nuk do të paraqiten si parti, por si individë.

“Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje do të jenë në listat e përbashkëta si individë, jo si parti. Ata kanë të njëjtat bindje si ne dhe tashmë janë pjesë e koalicionit Lidhja Evropiane për Ndryshim. Këshilltari i Albin Kurtit për Maqedoninë, Bekim Qoku, është strugan, është shtetas i Maqedonisë dhe dikur ka qenë deputet në Kuvend, kështu që asgjë nuk e pengon të jetë në listën e kandidatëve për deputet”, tha Mexhiti.

Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë. Ata do të jenë së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale për të cilat raundi i parë do të jetë më 24 prill, po ashtu e mërkurë.