Xhambaski kërkoi që Brukseli të reagojë për sulmin ndaj Perevit në Shkup

Ish-eurodeputeti bullgar Angel Xhambaski ka dërguar një letër të hapur drejtuar Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian pas sulmit që javën e kaluar ka ndodhur në një market në Shkup ndaj ish-gazetarit dhe publicistit Vlladimir Perev, i deklaruar si bullgar nga Maqedonia e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Në letrën e hapur drejtuar eurodeputetëve dhe anëtarëve të KE-së, Xhambaski vlerëson se sulmi ndaj Perevit nuk është incident i izoluar, por, siç thotë ai, edhe një hallkë tjetër në zinxhirin e gjatë të dhunës dhe urrejtjes etnike në vend.

“Durimi im dhe durimi i të gjithëve që besojnë në vlerat evropiane është shteruar. Heshtja juaj e qëndrueshme përballë sulmeve sistematike ndaj bullgarëve në Maqedoninë e Veriut nuk është vetëm miopi politike, por dështim moral dhe juridik,” shkruan Xhambaski, duke theksuar se heshtja vetëm sa e legjitimon dhunën.

Në letër ai shton se përmes sulmeve sistematike ndaj njerëzve që deklarohen si bullgarë po shkelen Kriteret e Kopenhagës, të përcaktuara nga vetë Bashkimi Evropian. Çdo shtet kandidat për anëtarësim në BE, thekson ai, është i detyruar të garantojë të drejtat e njeriut, mbrojtjen e pakicave, institucione të qëndrueshme dhe sundimin e ligjit.

“Maqedonia e Veriut qartazi nuk e bën këtë. Dhe ju qartazi po zgjidhni të shtireni se nuk e shihni. Kur qytetarët sulmohen për shkak të përkatësisë etnike, kur gazetarët goditen sepse thonë të vërtetën, kjo përbën shkelje direkte të nenit 2 të Marrëveshjes së BE-së, dinjiteti njerëzor, liria, barazia, sundimi i ligjit dhe mbrojtja e pakicave. Dhe kur institucionet evropiane heshtin, kjo është shkelje e koherencës politike të vetë Bashkimit,” shkruan tutje Xhambaski.

Xhambaski po ashtu i referohet nenit 49 të Marrëveshjes së BE-së, sipas të cilit, siç thekson ai, anëtarësimi në këto rrethana është juridikisht i papranueshëm. Ai akuzon se me sulmin ndaj Perevit po cenohet Korniza e Negociatave e vitit 2022, si edhe Karta Evropiane për të Drejtat Themelore dhe standardet ndërkombëtare.

“Kur institucionet evropiane mbyllin sytë para dhunës ndaj komunitetit bullgar në Maqedoni, kjo nuk është ‘diplomaci’, por shmangie e përgjegjësisë. Prandaj ju bëj thirrje të veproni sipas ligjit, moralit dhe dokumenteve tuaja, të pranoni hapur se po kryhen shkelje sistematike ndaj komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut; çdo hap të mëtejshëm negociues ta kushtëzoni me rezultate konkrete sipas Kapitullit 23; të ndaloni ‘përparimin’ formal dhe raportet teatrale që fshehin mungesën e reformave; dhe të dërgoni një mesazh të qartë se Evropa nuk do të tolerojë dhunë, urrejtje dhe diskriminim,” theksoi Xhambaski.

Pardje, ish-gazetari dhe publicisti Vlladimir Perev (80), i deklaruar si bullgar nga vendi, publikoi se ishte sulmuar verbalish dhe fizikisht në një market në Shkup. Në një kolumnë të botuar në portalin Tribuna.mk, ai shkruan se u sulmua nga një burrë rreth të dyzetave, me të cilin po priste në radhën në market.

Incidenti ka ndodhur të premten, ndërsa policia njoftoi se ka nisur procedurat për zbardhjen e rastit.

Për ngjarjen reagoi edhe MPJ e Bullgarisë, duke i bërë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut të zhvillojnë një hetim efikas.