Xhaferi: Të përfundojmë me ndryshimet kushtetuese dhe të vazhdojmë më tej për gjeneratat e ardhshme

Ideja është që të përfundojmë me ndryshimet kushtetuese si zgjidhje optimale dhe të vazhdojmë më tej, jo për shaka neve si garniturë politike e cila momentaisht është në pushtet, por për ardhmërinë, porositi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në intervistë për TMV-në, transmeton Portalb.mk.

“Ne nuk duhet të kërkojmë përvoja të të tjerëve, ne kemi përvojën tonë nga viti 2008 në lidhje me zgjidhjet e mundshme momentalisht dhe të zgjidhjeve të mundshme. Kuptohet, përvoja tregon se sado që të jetë, thënë kushtimisht, dilema në raport me zgjidhjen momentale, zgjidhja e ardhshme mund të jetë vetëm më e keqe”, porositi Xhaferi.

Ai tha se, ka ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet për që debati në Komisionin për çështje kushtetuese të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Siç sqaroi, duhet të sigurohet koha e caktuar për debat, por dinamika e debatit varet nga rrjedha e diskutimit. Përkatësisht, nëse shteret debati, nuk duhet të zgjat deri më 9 gusht, siç është e paraparë, tha Xhaferi.

“Sa i përket kompetencave të mia si kryetar i Kuvendit dhe i komisionit kushtetues, në mënyrë organizative kam ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet që të përgatitet Kuvendi dhe të jetë i gatshëm procesi të rrjedhë në mënyrë më të mirë”, tha Xhaferi.

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i dërgoi Kuvendit amendamentet kushtetuese.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit. Seanca për ndryshimet kushtetuese është caktuar për më 18 gusht 2023 në ora 11:00. Para se të shqyrtohet Propozimi në Seancë plenare, Propozimin do e shqyrtojë Komisioni i Çështjeve Kushtetuese, kryetar i të cilit është Kryetari Xhaferi. Seanca e Komisionit të Çështjeve Kushtetuese është caktuar më 25 korrik në ora 10:00.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.