Webinar për pikat e nxehta ekologjike: Nevojiten zgjidhje urgjente, bëhet fjalë për jetë njerëzish
Zgjidhja e pikave të nxehta ekologjike në vendin tonë është e nevojshme urgjentisht dhe pa shtyrje të mëtutjeshme nga ana e autoriteteve shtetërore, konstatuan bashkëfolësit në webinarin e djeshëm me titull “Pikat e nxehta ekologjike nëpërmjet prizmit gazetaresk”. Në këtë eveniment folën Profesori Trajçe Stafillov nga Instituti i Kimisë pranë Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, gazetarët Bojan Bllazhevski dhe Sanja Naumovska nga agjencia e lajmeve Meta.mk si dhe Fisnik Xhelili, gazetar i Portalbit.
Profesori Trajçe Stafillov i prezantoi konkluzionet nga një numër i madh hulumtimesh, pjesë e të cilave ka qenë ai, e që kanë të bëjnë me pikat e nxehta ekologjike nëpër vendin tonë. Ai dhe kolegët e tij kanë përpiluar harta në të cilat është shënuar niveli i ndotjes së tokës dhe të ajrit, duke përdorur mostra nga toka dhe nga myshku si matës për ndotjen e ajrit, sepse ushqehet nga ajri.
Stafillov i tregoi 16 “pikat e nxehta” nëpër vendin tonë, gjegjësisht lokacionet që janë të rrezikshme për shkak të mbetjeve të rrezikshme, ku përfshihen miniera të mëparshme dhe aktuale me deponitë e tyre, fabrika të industrisë ndotëse, shkritorja në Veles së bashku me deponitë që janë krijuar nga puna e tyre.
Si pikë më e rrezikshme dallohen dy deponitë me pesticidin lindan dhe izomerët e tij që ndodhen në sipërfaqen e ish fabrikës OHIS. Ai paraqet rrezik sepse deponia është në qiell të hapur, që ndihmon në përhapjen e lehtë të të njëjtit. OHISI e ka ndërprerë prodhimin e lindanit që në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar për shkak të toksicitetit të tij të jashtëzakonshëm, por pasojat ndjehen edhe sot.
Gjegjësisht, në ajrin e Shkupit grimcat e lindanit janë 40 herë më të pranishme në krahasim me Llazaropolen. Pastaj, ai është i pranishëm edhe nëpër ujërat nëntokësorë në lagjen Lisiçe, edhe atë në një sasi më të lartë nga vlerat intervente. Në fakt, vlera intervente paraqet sasi të pranisë së një materie të caktuar të dëmshme për të cilën konsiderohet se është mjaft e dëmshme për të shkaktuar intervenim nga institucionet kompetente.
Si pikë tjetër kyçe me nivel shqetësues të ndotjes, Stafillov e potencoi deponinë me zgjyrë në shkritoren e Velesit. Përsëri, edhe pse ajo me vite të tera nuk punon, pasojat ekologjike të deponisë së zgjyrës me përqendrim të lartë të zinkut, plumbit dhe zhivës mbeten. Toka është e ndotur në mënyrë intensive, që shkakton ndotje të ujërave nëntokësorë si dhe frutave, perimeve dhe drithërave që rriten në këtë rajon.
“Si rezultat i përhapjes së këtij pluhuri nga deponia në ajër, tokat janë të ndotura shumë intensivisht. Në një sipërfaqe prej 30 kilometra katrorësh në qytetin e Velesit, konstatuam ndotje kritike në pothuajse 7 kilometra katrorë”, bëri me dije Stafillov.
Profesori e potencoi edhe ndotjen tjetër të shkaktuar nga mbetjet e gipsit nga Industria Kimike në Veles, që janë krijuar gjatë prodhimit të plehut artificial. Ai është deponuar rreth 15 kilometra në jug të Velesit dhe është radioaktiv. Stafillov gjithashtu komentoi për cilësinë e ajrit në pjesën jugore të vendit, ku është regjistruar ndotje me krom dhe nikel si rezultat i emetimit të pluhurit nga fabrika për përpunimin e nikelit në Kavadar – FENI. Mirëpo, profesori e përshëndeti rikonstruimin e filtrave në këtë fabrikë, që drastikisht e ka përmirësuar gjendjen.
E përshëndeti edhe sanimin e terrenit dhe pyllëzimin e një pjesë të deponive në minierat Sasa dhe Buçim.
Mirëpo, edhe përkundër këtyre masave të ndërmarra profesori përsëri theksoi se masat pozitive për zgjidhjen e pikave të nxehta ekologjike zhvillohen shumë ngadalë dhe nuk janë mjaftueshëm voluminoze në pajtim me situatën alarmante.
Me tej profesori theksoi se edhe zgjidhje të përkohshme mund të jenë të mirëseardhura, siç është mbulimi i mbetjeve të rrezikshme që do ta pengojë ndotjen e mëtutjeshme. Ai theksoi se zgjidhja e plotë e vetëm njërës nga këto pika, si për shembull deponisë në OHIS, do të jetë shumë e kushtueshme – paketimi dhe eksportimi vetëm i lindanit nga deponia e vogël deri tani ka kushtuar 5 milionë euro.
Mbi reagimet e ngadalshme nga institucionet kompetente reaguan edhe gazetarët pjesëmarrës në webinar, të cilët kanë përvojë duke i elaboruar temat lidhur me mjedisin jetësor. Në prononcimet e tyre mbisunduan problemet me të cilat janë ballafaquar gjatë informimit mbi pikat e nxehta ekologjike, ndër të cilat edhe: frika e popullatës lokale që të komentojë mbi ndotjen, zgjidhjet jo të duhura nga ana e autoriteteve lokale dhe shtetërore, por edhe për transparencën e përmirësuar nga ana e organeve shtetërore.
Bojan Bllazhevski, kryeredaktori i agjencisë së lajmeve Meta.mk, komentoi mbi atë se pushtetet lokale, si për shembull në Jegunoc dhe Kumanovë, edhe pse nuk janë kompetente për zgjidhjen e pikave të nxehta, përsëri duhet të jenë më të hapura për bashkëpunim sepse lokacionet ndodhen në territoret e tyre. Ato në fakt janë më të mbyllura për bashkëpunim, për dallim nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor dhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor që kryesisht janë të hapura për përgjigje ndaj pyetjeve.
Pastaj, si shembull për marrjen e ngadalshme të masave adekuate për menaxhimin e ndotjes Bllazhevski e tregoi shembullin me praninë e arsenit ne Llojan dhe Tabanoc. Pas informimit të vazhdueshëm të Meta.mk në mars të vitit 2022 qeveria e shkëputi kontratën me kompaninë turke që duhej ta eksportojë koncentratin e arsenit. Mirëpo, prej atëherë nuk është shpallur thirrje publike për përcaktimin e kompanisë që do ta ndërmarrë përsëri atë përgjegjësi.
Sanja Naumovska, gazetare në Meta.mk, komentoi se një pjesë e madhe e mediave nuk i mbulojnë mjaftueshëm temat lidhur me pikat e nxehta ekologjike. Ajo tha se një pjesë e madhe redaksive nuk i llogarisin si tema interesante dhe i mbulojnë vetëm kur ka ndonjë ngjarje më të madhe “të keqe”, në vend që të publikojnë edhe analiza të vazhdueshme.
Ajo shtoi se shpesh janë aktuale çështje të tjera rreth fabrikave dhe firmave përgjegjëse për ndotjen – siç është privatizimi ose të drejtat e punëtorëve. Temat e këtilla “e zënë” në mënyrë plotësuese hapësirën mediatike që të mos flitet për pasojat ekologjike.
Sipas Naumovskës, mungesa e përmbajtjeve nëpër media mbi këtë temë ndikon edhe te punonjësit e bujqësisë të cilat, sipas përvojës së saj, shpesh nuk kanë qenë të vetëdijshëm se mbase nuk duhet të kultivojnë perime në sasi aq të mëdha të materieve toksike në tokë.
Mirëpo, ajo përsëri tha se institucionet lokale janë më të përgatitura për pyetjet e gazetarëve, dhe temat ekologjike nuk janë më aq tabu e madhe.
Fisnik Xhelili, gazetari në Portalb, gjithashtu komentoi mbi bashkëpunimin e përmirësuar midis institucioneve dhe mediave. Por, komentoi edhe se pengesë më të madhe paraqesin vetë banorët e vendeve të kontaminuara. Ato shpesh janë skeptikë mbi motivet e gazetarëve. Por gjithashtu, shpesh kanë frikë të komentojnë sepse të afërm të tyre ose vetë ato janë të punësuar nëpër fabrikat që janë shkaktare të ndotjes. “Më kujtohet një rast kur ishim në FENI të bëjmë reportazh mbi ndotjen dhe dëshironim të bëjmë një anketë në fshatin Vozarci. Edhe pse ishte evidente se e gjithë rrethina ishte e mbuluar me pluhur të kuq, se frymëmarrja vështirësohej dhe se të gjitha dritaret nëpër shtëpi i mbanin të mbyllura, nuk donin të flasin. Secili nga ato kishte ndonjë të afërm të punësuar në FENI. Kjo ishte një pozitë shumë e favorshme që FENI dhe institucionet e shfrytëzonin që të mos flitet mbi këtë temë”, shtoi Naumovska, e cila gjithashtu është ballafaquar me vështirësi gjatë marrjes së deklaratave nga banorët lokalë.
Të gjithë folësit alarmuan mbi nevojën që këto probleme të përfundojnë së qeni tabu dhe të hyjnë në diskursin publik, sepse sa më gjatë pushteti t’i evitojë, aq më të vështira dhe më të kushtueshme do të bëhen zgjidhjet e tyre.
Webinari u organizua nga Shoqata për Avancimin e Praktikave Mediatike “Mediat Inovative”, me mbështetjen e projektit rajonal SMART BALKAN – Shoqëri Civile për Ballkanin Perëndimor të Lidhur, dhe u implementua nga Qedra për promovimin e Shoqërisë Civile (Centar za Promociju Civilnog Društva (CPCD)), Qendra për Hulumtim dhe Krijim të Politikave (QHKP) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) ndërsa me mbështetje financiare nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Norvegjisë.