Vuçiqi e pyeti ministrin gjerman se pse Gjermania po e armatos Kosovën

Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius ka qëndruar të mërkurën në Serbi ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, raporton Koha.net.

Mediat serbe kanë raportuar se gjatë konferencës është krijuar tension kur Vuçiq e ka pyetur ministrin gjerman se në bazë të cilit akt juridik ndërkombëtar Gjermania po e armatos Kosovën.

Pistorius ka deklaruar se Gjermania nuk po e armatos vetëm Kosovën por edhe Serbinë.

“Gjermania po armatos jo vetëm Kosovën, por edhe Serbinë e furnizon me armë për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të secilit shtet. Ne nuk furnizojmë me armë sulmuese, vetëm mbrojtëse. Nga këndvështrimi ynë, ne e njohëm Kosovën. Vendet e tjera nuk e kanë bërë këtë, bëhet fjalë për një numër më të vogël vendesh në botë. Synimi ynë në rajon është paqja dhe stabiliteti, si dhe afrimi i përbashkët me BE-në. Kushtet e fqinjësisë së mirë janë të rëndësishme këtu, me të dyja palët e përfshira, dhe ky është parakushti bazë për stabilitet. Asgjë nuk e ndryshon këtë fakt”, u përgjigj Pistorius, shkruan Nova.rs.

Vuçiq më pas tha se nuk ka asnjë akt juridik ndërkombëtar që miraton armatosjen e Kosovës.

“Nuk ka përgjigje për dy pyetje. Çështja është se me cilin akt ndërkombëtar mund të armatoset Kosova, sepse ai akt nuk ekziston. Ka akte të shteteve individuale që e kanë njohur Kosovën. Dhe në anën tjetër, sa i përket vetë dialogut, ne jemi të ftuar në dialog sepse e shohim ndryshe natyrën juridike të situatës në Kosovë.M. Nëse ne jemi vetëm për të verifikuar atë që bën Prishtina, atëherë nuk keni nevojë për ne. Ne kemi qenë gjithmonë të hapur për dialog, kemi 11 vjet që presim që dikush të formojë Ascoacionin e komunave me shumicë serbe, kemi bërë lëshime të shumta dhe Prishtina nuk e ka përmbushur asnjë obligim që e ka pranuar”, tha Vuçiq.

Pistorius për heqjen nga përdorimi të dinarit në Kosovë ka thënë se Kosova ka të drejtë t’i zbatojë ligjet e saj, porse nevojitet komunikim më adekuat.

Tutje ka thënë se hetimi rreth ngjarjeve në Banjskë, është i një rëndësie vendimtare

“Reduktimi i njësive në kufirin me Kosovën ishte i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në atë kontekst. Është e rëndësishme dhe e nevojshme që Serbia të vazhdojë hetimet për ngjarjet e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë. Kjo është e një rëndësie vendimtare”, tha Pustorius.

Pistorius tha gjithashtu se dialogu nën patronazhin e BE-së duhet të vazhdojë me përkushtim të madh.