Vuçiq: Bordi i Paqes e ka ndarë Evropën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Forumin Ekonomik në Davos se i ashtuquajturi Bordi i Paqes po e ndan edhe më tej Evropën. Ai tha se situata do të bëhet më e qartë në javët në vijim, raporton Portalb.mk.
Sipas Vuçiqit, shumica e vendeve të Bashkimit Evropian ose nuk marrin pjesë në këtë iniciativë, ose ende nuk janë deklaruar.
Duke folur për Bordin e Paqes që udhëhiqet nga presidenti amerikan Donald Trump, Vuçiq tha se disa e shohin si një strukturë paralele të OKB-së. Megjithatë, ai shprehu pasiguri për drejtimin në të cilin do të zhvillohet dhe për vendet që mund të dërgojnë trupa.
Ai vuri në dukje se vende si Franca, Gjermania dhe Italia nuk po marrin pjesë, ndërsa Kina ka konfirmuar vetëm se ka marrë ftesë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump sot e ka lansuar Bordin e Paqes, përmes nënshkrimit në Davos të Zvicrës. Në mesin e 19 nënshkruesve është edhe Kosova. Ftesë mori edhe Shqipëria, ndërsa Maqedonia e Veriut nuk u thirr.