U themelua Bordi i Paqes: Kosova në mesin e nënshkruesve, RMV-ja nuk mori ftesë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump e ka lansuar Bordin e Paqes, përmes nënshkrimit në Davos të Zvicrës. Në mesin e 19 nënshkruesve është edhe Kosova, raporton Portalb.mk.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar marrëveshjen për pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes në Davos,
Osmani, me ftesë të presidentit amerikan Donald Trump, nënshkroi marrëveshjen njësoj si liderët e tjerë pjesëmarrës në këtë iniciativë.
“Kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt”, tha Osmani.
Në mesin e vendeve që pranuan ftesën janë Izraeli, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Jordania, Katari, Egjipti, si dhe anëtarët e NATO-s Turqia dhe Hungaria.
Në Bord marrin pjesë edhe Maroku, Pakistani, Indonezia, Kosova, Kazakistani, Uzbekistani, Vietnami, Argjentina, Armenia, Azerbajxhani dhe Bjellorusia.
Ndonëse edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka pranuar ftesën për të qenë pjesë e Bordit, ai nuk u pa në mesin e prijësve të shteteve që gjendeshin afër Trumpit të ulur me rend në Davos të Zvicrës.
Maqedonia e Veriut nuk ka pranuar ftesë për të qenë pjesëmarrëse në këtë bord.
Formimi i Bordit të Paqes u njoftua javën e kaluar nga Shtëpia e Bardhë, së bashku me krijimin e Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës.
Krijimi i këtij bordi përkon me fillimin e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, e cila i dha fund luftës që nga tetori i vitit 2023.