Pretendimi i rremë i Lavrovit se BE-ja po e kushtëzon Serbinë me njohjen e Kosovës
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi më 20 janar se Bashkimi Evropian po i kërkon Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës si kusht për integrim në BE, duke e cilësuar këtë si një akt “poshtërimi” dhe nënshtrimi ndaj politikave të jashtme të Brukselit, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë. Pretendimi i Lavrovit është i pavërtetë dhe manipulues. Ai injoron qëllimisht terminologjinë zyrtare, dokumentet e nënshkruara dhe arsyet reale të ngecjeve në procesin e anëtarësimit, shkruan Sbunker.
Kosova përdoret sërish si instrument propagandistik, jo për të sqaruar realitetin politik por për ta shtrembëruar atë në funksion të interesave gjeopolitike të Rusisë.
“Duke folur për Serbinë dhe interesat e saj, do të përqendrohesha jo vetëm në mënyrën se si Rusia dhe Shtetet e Bashkuara mund të bashkëveprojnë ose të ushtrojnë ndikim në Ballkan, por edhe në mënyrën se si BE-ja e trajton Serbinë. Është thënë vazhdimisht se e ardhmja e Serbisë është në Bashkimin Evropian. Në përgjigje, BE-ja thotë, do ta shohim, por së pari duhet ta njihni pavarësinë e Kosovës. Domethënë, duhet ta poshtëroni veten dhe pastaj të pajtoheni plotësisht me çdo lëvizje të politikës së jashtme të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Federatës Ruse. A është kjo një gjë dinjitoze për t’u bërë nga pikëpamja e Brukselit?”, tha Lavrov në një konferencë për media. Deklaratat e tij u shpërndanë edhe nga mediat në Serbi.
Megjithatë, faktet e demantojnë këtë pretendim. Në asnjë dokument zyrtar të Bashkimit Evropian nuk ekziston kërkesa eksplicite që Serbia të njohë Kosovën “de jure” si kusht për anëtarësim. As Marrëveshja e Brukselit e as Aneksi i Ohrit për të cilat palët u pajtuan në vitin 2023 nuk përmbajnë termin “njohje”. Ato flasin për normalizim të marrëdhënieve, ku Kosova e Serbia zotohen në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash në dialogun e lehtësuar prej Brukselit dhe disa pika të reja. Në disa raste ato janë interpretuar si njohje “de facto” e Kosovës nga ana e Serbisë duke iu referuar zbatimit të detyrimeve që lidhen me pranimin e dokumenteve përkatësisht pasaportës së Kosovës, njohja e simboleve shtetërore në përdorim praktik në vulat doganore, mos-pengimi i Kosovës për tu anëtarësuar në organizata ndërkombëtare dhe vendosja e misioneve të përhershme diplomatike. Këto janë elemente funksionale të shtetësisë, por jo akte formale të njohjes juridike.
Megjithëkëtë asnjëra prej pikave të marrëveshjes nuk ka nisur së zbatuari për shkak të mos pajtimeve rreth planit të sekuencimit, pra se cila pikë duhet të zbatohet e para. Serbia në vazhdimësi insiston në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, tek vazhdon të sfidojë shtetësinë e Kosovës duke lobuar për t’ia anuluar njohjet dhe për ta penguar që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.
Duke e paraqitur procesin e normalizimit si “kusht për njohje”, Rusia synon të ushqejë narrativën se Serbia po detyrohet të heqë dorë nga interesat e saj kombëtare për t’u bërë pjesë e Evropës, ndërsa në realitet Beogradi ka pranuar vetë këto obligime në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
Edhe Kapitulli 35 i negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE nuk kërkon njohje formale të Kosovës. Ai kushtëzon përparimin e Serbisë në procesin e integrimit me përparim të matshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që nënkupton zbatim të marrëveshjeve.
Për më tepër, ngecjet e Serbisë në procesin e anëtarësimit nuk lidhen vetëm me Kosovën. Problemet serioze me sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e mediave, korrupsionin dhe refuzimin për t’u harmonizuar me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë, janë faktorët kryesorë që kanë bllokuar hapjen dhe mbylljen e kapitujve negociues.
Por Lavrov i bashkon qëllimisht çështjen e Kosovës dhe sanksionet ndaj Rusisë për të ndërtuar një narrativë sipas së cilës BE-ja po e detyron Serbinë të zgjedhë mes identitetit të saj dhe integrimit evropian. Në realitet, Serbia ka zgjedhur vetë të ecë ngadalë drejt BE-së, duke balancuar mes Brukselit dhe Moskës, një strategji që BE-ja e ka toleruar për vite me radhë.
Në këtë kontekst, deklarata e Lavrovit nuk është analizë që bazohet në fakte sa i përket procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE, por instrument propagandistik të cilin e përdorin shpesh zyrtarët e Kremlinit. Kosova përdoret si mjet emocional për publikun serb, ndërsa BE-ja paraqitet si armik që kërkon nënshtrim. Qëllimi nuk është mbrojtja e Serbisë por ruajtja e ndikimit rus në Ballkan dhe pengimi i afrimit të rajonit me Perëndimin.
