Vrasje në burgun e sigurisë së lartë në Shqipëri

Në Shqipëri, një i dënuar, Arben Lleshi dhe një tjetër Ilir Shaqja, u qëlluan sot me armë në mjediset e burgut të sigurisë së lartë të Peqinit, raporton VOA. Autor i ngjarjes rezulton të ketë qenë i dënuari me burgim të përjetshëm Sokol Mjacaj. Lleshi humbi jetën rrugës për në spital, ndërsa Shaqja, mbeti i plagosur. Të dy ishin po ashtu të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.

Ngjarja ka ndodhur ndërsa një pjesë e të burgosurve ndodheshin jashtë qelisë, në zonat e ajrimit. Mes tyre edhe Mjacaj, i cili sipas të dhënave ende jo zyrtare dyshohet të jetë afruar të dritarja e qelisë së Lleshit, të cilin e ka thirrur me emër. Në momentin që ai është shfaqur, drejt tij Mjacaj mësohet të ketë qëlluar me disa plumba, njëri prej të cilëve ka kapur në këmbë të dënuarin tjetër Shaqja, i cili ndodhej në qeli me të. Mjacaj më pas,sipas burimeve, është tërhequr në një mjedis të brendshëm dhe vetëm pas bisedimeve të gjata me autoritetet e burgut, është vetëdorëzuar.

Ndërsa kanë kaluar shumë orë nga ngjarja, ende autoritetet nuk kanë dhënë asnjë njoftim, të paktën për dinamikën e ngjarjes, e cila shënon një cënim të rëndë të sigurisë, në një prej burgjeve që duhet të garantojë elementët më të lartë të saj, edhe sepse në këtë institucion penitenciar, vuajnë dënimin persona të akuzuar për vepra penale me rrezikshmëri të madhe.

Pikëpyetja kryesore lidhet me faktin se si është arritur të futet një armë zjarri, në një burg të sigurisë së lartë. Dyshimet e para janë ato të përdorimit të mundshëm të një droni, që i ka shpëtuar vëzhgimit të rojeve që mbikqyrin perimetrin e jashtëm, por që sërish do të kërkonte bashkëpunim edhe nga brenda vetë burgut.

Ndërsa mbeten të paqarta motivet, një nga pistat kryesore mendohet të jetë ajo e një vrasjeje me pagesë.

Në vitin 2016, Mjacaj, vrau gjatë një grabitjeje, dy turistë çekë. Të dënuarit e tjerë që u qëlluan prej tij, ishin akuzuar po ashtu për vrasje. Lleshi kishte vrarë një shqiptar në Britaninë e Madhe në vitin 2012, ndërsa Shaqja është autor i vrasjes së dy grave të moshuara në Durrës, në vitin 2016, gjatë një grabitjeje.