Vlerësime të funksionimit të demokracive në kuadër të rreshtimeve gjeopolitike

Ndërsa i afrohemi dekadës së tretë të këtij shekulli, vështirësitë në të kuptuarit, zbatimin praktik dhe funksionimin e institucioneve demokratike vazhdojnë të jetë një ndër pengesat kryesore të qeverive në kuadër të rreshtimeve gjeopolitike. Në përgjithësi nga SHBA-të, Evropa Perëndimore e më gjërë shihet se ka një rënie të besimit mbi vlerat e demokracisë. Ky trend që është i dukshëm në shoqëritë demokratike të vjetrat dhe të rejat, po interpretohet si një fitore për shtetet totalitare dhe autokratët.

Standardi jetësor në rënie, konkurrenca jo e drejtë, dallimet racore, fetare, etnike, papunësia e lartë, korrupsioni, shpërndarja e parave pavend të taksapaguesëve, infrastruktura e dëmtuar dhe ndërhyrjet politike mbeten sfida të mprehta në shtetet demokratike dhe ato në zhvillim. Ajo që neve na brengos më së shumti është paradoksi i vazhdueshëm i komunitetit ndërkombëtar ose i fuqive që e udhëheqin botën demokratike për mungesë opsionesh për krizat e tyre të brendshme, atyre aktuale të Ballkanit dhe vendeve tjera të botës. Ndërsa konfliktet globale shpërthejnë papritur, rreshtimi i të fortëve në kontekst gjeopolitik nuk ka sjellë asgjë të re për demokracitë e konsoliduara dhe demokracitë e brishta. Duke e parë krizën në demokracitë perëndimore e veçanërisht atë amerikane dhe evropiane, mund të fitojmë një pamje më të qartë se pse SHBA-të po veprojnë në mënyrë të pazakontë në çështjet aktuale botërore.

Sipas një ankete që është zhvilluar në SHBA nga “Qendra për Kërkime për Çështjet Publike” të AP-NORC, publikuar në PBS dhe mediat tjera amerikane “vetëm rreth 1 në 10 të rritur amerikanë japin vlerësime të larta për mënyrën se si funksionon demokracia në SHBA ose sa mirë i përfaqëson ajo interesat e shumicës.”
Shumica e të rriturve amerikanë mendojnë se “ligjet dhe politikat e SHBA-së bëjnë një punë të dobët për të përfaqësuar atë që shumica e amerikanëve e duan për çështjet që variojnë nga ekonomia, shpenzimet qeveritare, politika e armëve, emigracioni etj etj.”
Anketa gjithashtu tregon se 53 përqind e qytetarëve besojnë se Kongresi amerikan po bën një punë të keqe në ruajtjen e vlerave demokratike, krahasuar me vetëm 16 përqind që thonë se po bën një punë të mirë. Sipas disa kritikëve tjerë, SHBA-të po i nënshtrohen një eksperimenti masiv dhe në fakt si shoqëri janë në një farë testi kombëtar dhe global.

Sulmi i janarit të vitit 2021 mbi Kongresin ishte shembull i keq për botën dhe pasqyrë se në brendi sistemi ka vështërsi serioze. Dhe jo vetëm në SHBA, pakënaqësi për mënyrën e funksionimit të institucioneve demokratike kemi në BE dhe vendet e ish- bllokut lindorë. Ngecjet në shtetet perëndimore dhe në sistemin amerikan duket se kanë të bëjnë me mungesën e shpresës dhe idesë se sistemi aktual mund të japë më shumë.
Këtu mund të përmendim disa kërcënime për demokracitë. Në politikën e jashtme SHBA po sfidohet nga aktorë globalë që dëshirojnë dhe kanë potencial të bëjnë zëvendësimin e Uashingtonit në skenën diplomatike dhe ekonomike. Nga ana tjetër, poqëse bëjmë një krahasim në mes dy demokracive perëndimore atë amerikane dhe evropiane, atëherë këtu kemi një dallim të madh në atë se çfarë mund të vlerësohet si e mirë nga qytetarët në Evropën Perëndimore dhe në SHBA. Pavarësisht se Evropa i ka shqetësimet e veta, shumica e demokracive moderne atje i kanë “eliminuar disa institucione të së kaluarës, zgjedhjet indirekte dhe mandatin e përjetshëm për gjyqtarët në Gjykatat Supreme”.

Kur flasim për demokracitë evropiane, dhe atë amerikane ja vlen të theksohet se demokracitë në Evropën Perëndimore janë vibrante. Jeta e një individi është më e sigurtë, identiteti i respektuar, shteti i së drejtës funksionon dhe gjendja ekonomike vazhdimisht përmirësohet pavarësisht krizave globale. Në ndërkohë, në SHBA përshkak të rolit global dhe rritjes së varfërisë, në brendi qytetarët amerikanë nuk janë të lumtur më. Kanë vlerësime negative për qeverisjen dhe sistemin. Vetëm klasa e lartë dhe e pasur amerikane nuk ankohet dhe vazhdon të shtypë atë të mesmen dhe klasën e varfër me të gjitha mjetet. Në krahasim me SHBA-të ku kapitalizmi është i ashpër dhe dallimet racore e sociale po tregojnë dobësinë e sistemit amerikan, Evropa është me e butë ndaj qytetarëve që jetojnë brenda unionit. Duhet theksuar se edhe në BE pavarësisht përparësive të shumta që i kanë qytetarët, kemi mungesë të zbatimit të principeve demokratike.
Fjalimi i disa zyrtarëve të BE-së në “State of Union” nuk përmbante asgjë rreth demokracisë, por vetëm përfshinte Ukrainën, riformatimin e mundshëm të unionit dhe zgjerimin në Ballkan. Një shembull konkret se ku gjendet sot Evropa vjen në shprehje tek diplomacia e dyfishtë e BE-së në Kosovë dhe në Bosnjë. Në plan afatgjatë përsëri në vendet e lira dhe me treg të hapur ekonomik shumë çështje mund të zgjidhen më lehtë se sa në shtetet e mbyllura që qeverisen nga autokratët.

Në fund, historia e marrëdhënieve ndërkombëtare tregon se nga bota antike e deri në eksperimentin e fundit amerikan të gjitha sistemet politike dhe ekonomike janë një test për qeveritë dhe njerëzimin. Kështu ka qenë që nga fillimi i shoqërisë njërëzore dhe ashtu do të përfundojë nëse çështjet analizohen nga këndi metafizik. Kurse rreshtimet gjeopolitike në dy mijëvjeçarin e fundit çdoherë kanë pasur tendencë të sfidojnë shoqëritë e hapura dhe demokracitë. Kur shtetet demokratike kanë aq shumë probleme, atëherë çfarë mund të thuhet për shoqëritë e mbyllura dhe totalitare?! Për më shumë, në vitin 2007 Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), vendosi të kremtojë 15 shtatorin si “Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë”. Kjo ditë sipas OKB-së ka për qëllim të promovojë parimet bazë të demokracisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.