Prokuroria: Një 33-vjeçar ka tentuar t’i vret dy qytetarë, pasi paraprakisht në trotuar ka rrezikuar jetën e qytetarëve

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka iniciuar procedurë hetuese kundër një personi, 33 vjeçar nga Haraçina, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprës penale më 11 shtator, “Tentim-vrasje” nga neni 123 paragrafi 3 lidhur me nenin 19. Gjithashtu ndaj të dyshuarit është ngritur procedurë për Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm nga neni 288 paragrafi 1 i Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

“Më 11 shtator, i dyshuari me dashje ka tentuar të vrasë dy persona të cilët kanë protestuar verbalisht për shkak se i njëjti ka qenë duke vozitur veturën Land Rover me shpejtësi të madhe në trotuarin e Qendrës Tregtare “Biser” në Aerodrom, duke shkaktuar rrezik të konsiderueshëm për jetën e njerëzve.”, njoftuan nga Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, në momentin kur të dëmtuarit e kanë vërejtur rrezikun, i dyshuari ka kthyer automjetin dhe me shpejtësi të madhe është nisur drejt tyre me qëllim që t’i shkelë.

Ata janë larguar dhe i dyshuari ka dalë nga vetura me thikë në dorë dhe që të dy viktimave u ka shkaktuar nga katër plagë të rënda trupore”, thonë nga Prokuroria.

Sipas kumtesës së Prokurorisë, rastin e kanë ndaluar një grup qytetarësh, të cilët kanë filluar të bërtasin dhe t’i kundërshtohen të dyshuarit duke e penguar atë që ta kryejë veprën.

“Kështu që ai është kthyer në veturën e tij dhe menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes”, shtojnë nga Prokuroria.

Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, duke pasur parasysh se, sipas Prokurorisë, ekziston rreziku që ai të arratiset, mundësi që ta pengojë procedurën penale duke ndikuar te dëshmitarët si dhe rrethana të veçanta që e justifikojnë frikën se do ta përfundojë tentimin për veprën penale.