VLEN lavdërohet për rritje prej 44% të përfaqësimit të shqiptarëve në NOMAGAS, ASH e Taravarit: Gënjeni, përfaqësimi real është 18%
Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët e Taravarit përkundrazi e akuzon VLEN-in për dështim në sigurimin e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në institucionet shtetërore. Sipas saj, në ndërmarrjen NOMAGAS, nga 102 punësime të reja, vetëm 19 janë shqiptarë – vetëm 18.6%, shumë më pak se minimumi ligjor. Aleanca e cilëson si manipulim pretendimin e VLEN-it për 44.4% përfaqësim dhe e akuzon për nënshtrim ndaj strukturave reale të pushtetit. Për këtë arsye, thotë ajo, është larguar nga qeveria, duke e konsideruar diskriminuese dhe jo përfaqësuese të shqiptarëve.
“Pavarësisht përpjekjeve për të krijuar iluzionin e barazisë dhe përfaqësimit, të dhënat konkrete zbulojnë të vërtetën e hidhur për qeverisjen e VLEN-it. Vetë drejtuesit e tyre krenohen me faktin se në Shoqërinë Aksionare për Ushtrimin e Veprimtarisë Energjetike – NOMAGAS Shkup, në konkursin e fundit publik janë punësuar 8 shqiptarë nga 18 vende pune. Nëse kësaj i shtojmë edhe statistikat e mëparshme – nga 84 punësime, vetëm 11 shqiptarë, rezulton se tani janë 102 punësime, prej të cilave vetëm 19 shqiptarë. Kjo do të thotë jo më shumë se 18.6% përfaqësim shqiptar, një përqindje që nuk e përmbush as minimumin e garantuar me ligj, e jo më të jetë sukses”, thonë nga ASH.
Ata shtojnë se, VLEN mashtron publikisht duke pretenduar se ka arritur përfaqësim 44.4%.
“Në të vërtetë, ka dështuar të korrigjojë padrejtësinë shumëvjeçare dhe diskriminimin etnik në këtë ndërmarrje shtetërore, edhe pse kishte mundësinë dhe kompetencën ta bënte. Ky është realiteti: edhe aty ku VLEN është në krye, nuk guxon të sfidojë strukturat e vërteta të pushtetit, pasi kufijtë e veprimit i ka të përcaktuar nga patronët e tyre politikë – Hristijan Mickoski dhe Stojançe Angelov. VLEN nuk është qeveri e shqiptarëve, por është vegël në duart e politikave që i shohin shqiptarët si numra për vota dhe jo si qytetarë me të drejta të barabarta. Për këtë arsye, Aleanca për Shqiptarët ka braktisur këtë qeveri diskriminuese, sepse nuk mund të jetë pjesë e një pushteti që simbolikisht emëron shqiptarë drejtorë, por realisht ua mohon të drejtën për të barazuar përfaqësimin në institucionet që drejtojnë”, thuhet më tej në reagim.
Akuzat midis partnerëve të dikurshëm në Qeveri vazhdojnë prej se Alenaca braktisi shumicën qeverisëse.
Sidoqoftë, është fakt se shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut ndonëse përbëjnë 29 përqind të popullsisë, ende nuk e kanë arritur nivelin e duhur të përfaqësimit në institucionet shtetërore. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve çalon në disa nga institucionet më të rëndësishme shtetërore.
Nga të dhënat e siguruara rezulton se në Presidencë, Ministrinë për Transformim Digjital, Ministrinë e Sportit, Bankën Popullore, MEPSO dhe Agjencinë e Administratës, shqiptarët janë të nënpërfaqësuar.
Së fundmi, asnjë sportist shqiptar nuk u gjet në mesin e 22 sportistëve të dekoruar me medalje për arritje të larta në këtë fushë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Sportit. Ky trajtim ka ngjallë reagime nga sportistët në vend dhe partitë politike.
Kujtojmë se, Portalb.mk në vazhdimësi ka shkruar për diskriminimin institucional të shqiptarëve, me theks mungesën e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në vendimmarrje. Shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut ndonëse përbëjnë 29 përqind të popullsisë, ende nuk e kanë arritur nivelin e duhur të përfaqësimit në institucionet shtetërore. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve çalon në disa nga institucionet më të rëndësishme shtetërore.