Kamionistët e Ballkanit Perëndimor do të bllokojnë kufijtë, pasi Brukseli injoron kërkesat e tyre
Transportuesit ndërkombëtarë nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi paralajmërojnë hapa radikalë dhe bllokim të pikave kufitare, pasi Komisioni Evropian ka injoruar plotësisht afatin deri më 10 gusht 2026, të vendosur nga shoqatat e transportuesve për gjetjen e një zgjidhjeje konkrete dhe heqjen e kufizimit të qëndrimit për shoferët profesionistë në zonën Shengen, transmeton Portalb.mk.
Siç njoftoi 360 Gradë, për këtë arsye, sektori i transportit në Ballkanin Perëndimor po përballet me një nga krizat më të thella në historinë e tij të fundit. Në pamundësi për të gjetur një zgjidhje adekuate për problemin, shoqatat e transportuesve nga katër shtetet kanë caktuar takim urgjent rajonal më 11 gusht në Maqedonnë e Veriuti. Në këtë takim do të koordinohen veprimet e mëtejshme, të cilat përfshijnë edhe aktivizimin e planeve për protesta masive dhe bllokimin e qarkullimit të mallrave në Ballkan.
Problemi zgjat që nga tetori i vitit të kaluar, kur Bashkimi Evropian filloi zbatimin rigoroz të rregullit të Shengenit “90/180 ditë” për shoferët e kamionëve nga vendet jashtë BE-së. Kjo rregullore, e krijuar fillimisht për të parandaluar fluksin e pakontrolluar të migrantëve dhe punëtorëve ilegalë, në praktikë barazoi plotësisht statusin e shoferëve profesionistë me atë të turistëve të zakonshëm. Në këtë mënyrë, shoferëve të kamionëve u lejohet qëndrimi në zonën Shengen për maksimum 90 ditë brenda një periudhe gjashtëmujore.
Megjithëse më 10 prill të këtij viti u arrit marrëveshje e përkohshme, e cila parashikonte “fshirjen” e ditëve të kaluara më parë në Shengen dhe fillimin e një numërimi të ri, transportuesit pretendojnë se kjo marrëveshje në terren nuk po respektohet aspak.
Shoferët që tashmë e kanë plotësuar kuotën prej 90 ditësh gjatë gjashtë muajve të fundit po kthehen në masë nga kufijtë dhe nuk mund të hyjnë në Kroaci, Hungari apo Rumani. Në vend të kompromisit, autoritetet kufitare vazhdojnë me dëbimin e shoferëve dhe mbajtjen e kamionëve, duke i shkaktuar biznesit dëme në miliona euro.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Ndërkombëtar të Serbisë, Nexho Mandiq, konfirmoi se shoqatat kanë dërguar letër zyrtare me kërkesë për takim urgjent, duke propozuar që ai të mbahet në Beograd ose Bruksel.
Megjithatë, përgjigjet nga BE-ja e kanë revoltuar edhe më shumë sektorin, pasi BE-ja ka ofruar që bisedimet të zhvillohen në fund të javës së ardhshme, por në format online. Sipas transportuesve, kjo është jashtëzakonisht joserioze për zgjidhjen e një problemi kaq akut.
Si arsye nga BE-ja është përmendur fakti se personeli kyç, përfshirë tre drejtorët përgjegjës nga Drejtoria e BE-së për Mobilitet dhe Transport, janë në pushim vjetor deri më 12 gusht, për shkak të së cilës çdo bisedim zyrtar është shtyrë për pas kësaj date.
Transportuesit kujtojnë se në fund të janarit të këtij viti tashmë organizuan një bllokadë katërditore të terminaleve të mallrave, e cila shërbeu si paralajmërim, por edhe atëherë nuk u gjet zgjidhje e përhershme.
Këtë herë, nëse në takimin në Maqedoninë e Veriut merret vendim për radikalizimin e protestave, bllokadat nuk do të jenë lokale, por rajonale dhe të koordinuara në të gjitha pikat kryesore të Ballkanit Perëndimor.
Duke bllokuar qarkullimin e mallrave në kulmin e sezonit veror, transportuesit planifikojnë të ndërpresin plotësisht furnizimin ndërmjet BE-së dhe Evropës Juglindore, me qëllim që ta detyrojnë Brukselin të pezullojë urgjentisht rregullin e kontestuar.