VLEN dorëzoi kallëzim penal në Prokurori dhe kërkoi të hetohet manipulim i mundshëm me numrin e shqiptarëve
VLEN ka dorëzuar kallëzim penal për manipulim të mundshëm me regjistrimin e vitit 2021. Në një deklaratë për mediat, Fatmir Sabriu nga VLEN njoftoi se kallëzimi do të dorëzohet kundër ish-udhëheqësisë së Entit për Statistikë, zyrtarëve të ish-Qeverisë BDI-LSDM dhe personave të tjerë të përfshirë në një marrëveshje të dyshuar politike. VLEN pretendon se rezultatet e regjistrimit janë falsifikuar në mënyrë të qëllimshme, duke ulur numrin e shqiptarëve dhe duke dëmtuar të drejtat e tyre kushtetuese. Kjo, sipas tyre, ka ndikuar negativisht edhe në ndarjen e fondeve publike. Ata kërkojnë hetim të menjëhershëm nga Prokuroria dhe paralajmërojnë se nuk do të ndalen deri në zbardhjen e së vërtetës, transmeton Portalb.mk.
“Në emër të VLEN, ju njoftojmë se do të dorëzojmë kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike – Shkup, kundër ish-udhëheqësisë së Entit Shtetëror për Statistikë, personave të tjerë përgjegjës dhe drejtues në kryesinë e ish-Qeverisë së BDI-së dhe LSDM-së, si dhe personave të tjerë brenda koalicionit të cilët kanë bërë marrëveshje politike në lidhje me regjistrimin e popullsisë. Arsyeja për kallëzimin është dyshimi serioz për marrëveshje politike dhe, si pasojë e kësaj, falsifikim i rezultateve të Regjistrimit të vitit 2021, me ç’rast dyshohet se është kryer vepra penale Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar (neni 353 i Kodit Penal)”, tha Sabriu.
Pasojat e këtij akti janë të thella shton ai, si: numri i shqiptarëve të paraqitur në shumë fshatra, vendbanime dhe qytete është ulur në mënyrë drastike dhe të vetëdijshme.
Me këtë, shqiptarët humbasin shumë të drejta personale dhe individuale (të garantuara me Kushtetutë), siç janë: punësimi, përfaqësimi politik dhe barazia gjuhësore.
Po ashtu, edhe institucionet janë vënë në pozitë të marrin vendime për ndarjen e mjeteve dhe fondeve bazuar në të dhëna të gabuara dhe të zvogëluara, me ç’rast qytetarët në shumë komuna janë dëmtuar.
Ata kërkojnë nga Prokuroria Publike të hetojë këto dyshime.
“Për më tepër, ditëve të fundit funksionarë të lartë të BDI-së kanë pranuar publikisht se “regjistrimi ishte në kuadër të marrëveshjes”, çka e përforcon edhe më shumë dyshimin për një skenar politik të gjithë operacionit. VLEN ndërmerr këtë iniciativë në mbrojtje të ligjshmërisë, barazisë dhe pasqyrës reale statistikore të shtetit. Presim që Prokuroria të hapë menjëherë lëndë, të sigurojë të gjitha provat materiale dhe të zhvillojë një hetim të plotë. Nuk ka kompromis kur preket dinjiteti dhe numri i popullatës tone. Lufta për drejtësi fillon tash dhe do ta vazhdojmë deri në fund, në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Sabriu.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti i pyetur dje nga gazetarët ka folur për debatin e fundit për Regjistrimin e Popullsisë.
Ai tha se “shqiptarët as kanë qenë të ndarë dhe as do të ndahen ndonjëherë”, duke shtuar se “Regjistrimi i popullsisë është në kuadër të marrëveshjeve”.
Gjykata Kushtetuese më 26 qershor informoi se “pjesët e shënuara të metodologjisë nuk janë në përputhje me vlerën themelore të rendit kushtetues – sundimin e ligjit, i cili rregullohet me nenin 8 paragrafi 1 alinea 3 dhe detyrimin kushtetues që të gjitha rregulloret të jenë të harmonizuara me ligjet dhe Kushtetutën, të rregulluara me nenin 51 të Kushtetutës, pastaj nenet 6, 7 dhe 17 paragrafi 2 alinea 1 i Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë, Familjeve dhe Banesave në Maqedoninë e Veriut në vitin 2021.
Sipas të dhënave nga Regjistrimi i vitit 2021 i publikuar nga Enti Shtetërore e Statistikave, Popullsia e përgjithshme e Maqedonisë së Veriut sipas përkatësisë etnike është si vijon: 54.21% – Maqedonas, 29.52% – Shqiptarë, 3.98% – Turq, 2.34% – Rom, 0.44% – Vlleh, 1.18% – Serb dhe të tjerë.